Inspektorati Policor i Kosovës ka rekomanduar suspendimin e tre zyrtarëve policorë pasi dyshohet se kanë keqtrajtuar një punonjës të sigurimit të EULEX-it, gjatë arrestimit dhe shoqërimit pas një incidenti lidhur me parkimin e një veture private.
Sipas Inspektoratit, punonjësi i EULEX-it ishte në detyrë të sigurimit së autoparkingut të veturave të EULEX-it.
IPK-ja tha se për këtë rast janë informuar mëngjesin e së enjtes, derisa zyrtarët policorë po dyshohen për keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike.
“Bazuar në veprimet hetimore që janë ndërmarrë deri më tani, dyshohet se zyrtarët policorë kanë arrestuar dhe shoqëruar një qytetar (punonjës i sigurimit për Misionin e EULEX-it) pas një incidenti lidhur me parkimin e një veture private (të cilën ishte duke drejtuar një zyrtar policor) para hyrjes së parkingut të Misionit EULEX afër stadiumit të futbollit ‘Fadil Vokrri’ në Prishtinë. Punonjësi vendor i sigurimit të Misionit të EULEX ishte në detyrë të sigurimit të auto-parkingut të veturave të EULEX-it në kohën kur ka ndodhur incidenti. Me të pranuar informacionin hetuesit e IPK-së kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë ndërmarrë disa veprime fillestare hetimore në konsultim të vazhdueshëm me prokurorin kompetent i cili po ashtu ka dalë në vendin e ngjarjes”, thuhet në komunikatën e IPK-së drejtuar mediave.
IPK-ja tha se do të ndërmarrin edhe veprime të tjera për zbardhjen e plotë të këtij incidenti.