Regjistrimi i popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave është pjesa thelbësore e programit statistikor kombëtar. Viti 2023, do të jetë viti i regjistrimit të popullsisë që nënkupton realizmin e projektit më të madh statistikor në vend, në ditën referuese 1 shtator 2023, njofton Agjencia e Statistikave të Kosovës.
“Projekti nacional i regjistrimit të popullsisë realizohet nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, me mbështetjen e institucioneve qendrore e lokale, partnerëve ndërkombëtar dhe organeve përkatëse të përcaktuara me Ligjin e Regjistrimit të popullsisë. Si një ndër projektet më të rëndësishme nacionale, regjistrimi i popullsisë do të realizohet në periudhën kohore 1 shtator-16 tetor 2023”, njofton ASK-ja.
Sipas ASK-së përmirësimi i afateve kohore dhe modernizimi i prodhimit të të dhënave statistikore, janë garantues për gjithë procesin e regjistrimit të popullsisë. Pjesëmarrja qytetare në regjistrimin, është obligim ligjor, dhe çdo banor i Republikës së Kosovës obligohet që gjatë regjistrimit zyrtarit për regjistrim të ia ofroj të dhënat e sakta për vete dhe të afërmit e tij/saj.





