LAJME

Reforma e asistencës sociale në Kosovë: Mbi 4 mijë familje përfitojnë për herë të parë mbështetje financiare

Reforma e asistencës sociale në Kosovë: Mbi 4 mijë familje përfitojnë për herë të parë mbështetje financiare
TV Prizreni
TV Prizreni
2 Prill 2026, 08:58

Projekti për Reformën e Asistencës Sociale (SAS) po konsiderohet një nga ndërhyrjet më të rëndësishme sistemike në fushën e mbrojtjes sociale në Kosovë gjatë dekadës së fundit, duke sjellë ndryshime konkrete në përfitimet dhe qasjen ndaj qytetarëve në nevojë.

Sipas njoftimit zyrtar, që nga fillimi i zbatimit, projekti ka ndikuar drejtpërdrejt në përmirësimin e jetës së mijëra familjeve. Rreth 4,000 familje kanë nisur të përfitojnë për herë të parë ndihmë financiare nga shteti, si rezultat i eliminimit të kritereve kufizuese dhe vendosjes së një qasjeje më të drejtë dhe gjithëpërfshirëse. Ndër ndryshimet kryesore është heqja e kushtit për të pasur fëmijë nën moshën 5 vjeç, si dhe largimi i penalizimeve të menjëhershme pas punësimit.

Një tjetër zhvillim i rëndësishëm është digjitalizimi i plotë i procesit të aplikimit, i cili tashmë është më i thjeshtë, më i shpejtë dhe më transparent për qytetarët.

Në kuadër të fuqizimit të tregut të punës, mbi 6,000 persona të aftë për punë janë regjistruar në zyrat e punësimit dhe po përfitojnë nga shërbimet aktive, përfshirë trajnimet profesionale dhe subvencionimin e pagave për punëdhënësit.

Po ashtu, janë angazhuar rreth 200 konsulentë dhe punonjës për të forcuar kapacitetet institucionale në Qendrat për Punë Sociale, Zyrat e Punësimit dhe ato të Pensioneve, si dhe për monitorim në terren.

Projekti ka nisur edhe monitorimin sistematik të familjeve përfituese në të gjitha skemat sociale, me qëllim garantimin e drejtësisë dhe targetimin e saktë të mbështetjes. Paralelisht, është në proces kontraktimi kompania që do të zhvillojë një sistem modern për menaxhimin e skemave sociale dhe pensionale, duke mundësuar krijimin e një regjistri të integruar dhe menaxhimin e përfitimeve në një platformë të vetme.

Një hap i rëndësishëm drejt reformës ligjore është edhe hartimi i draftit të ri të ligjit për skemën e asistencës sociale, i cili synon eliminimin e kritereve diskriminuese dhe përmirësimin e mekanizmave të vlerësimit dhe monitorimit.

Autoritetet bëjnë të ditur se projekti tashmë ka përmbushur shumicën e indikatorëve të përcaktuar, ndërsa familjet në nevojë inkurajohen të paraqiten në Qendrat për Punë Sociale për të verifikuar nëse i plotësojnë kriteret dhe për të aplikuar për përfshirje në skemë.

Ky projekt synon jo vetëm ofrimin e mbështetjes financiare, por edhe identifikimin e saktë të familjeve në nevojë dhe integrimin e tyre në tregun e punës, me qëllim uljen e varësisë nga ndihma sociale dhe forcimin e pavarësisë financiare.

Ministria për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare ka theksuar se mbetet e përkushtuar për avancimin e kësaj reforme me transparencë të plotë dhe në shërbim të qytetarëve.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika