Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka reaguar pasi disa media raportuan se ajo së bashku me bashkëshortin e saj, kanë qenë në dijeni për rrethanat e një rasti që mbrëmë ka përfunduar me vrasjen në fshatin Bibajt të Ferizajt, ku i vrarë ka mbetur axha i Prindon Sadriut.
Osmani në Facebook, ka shkruar se ajo nuk ka asnjë njohuri e asnjë lidhje me rrethanat që shpien në vrasjen e mbrëmshme, transmeton Telegrafi.
“Reagim ndaj propagandës. Pasi i kam njoftuar institucionet e sigurisë dhe jam në përgatitje e sipër të të gjitha mjeteve ligjore, po e bëj publik edhe këtë reagim ndaj publikimit të propagandës së paprecedentë që ka filluar Berat Buzhala dhe media e tij, gazeta online “Nacionale”, e që po vazhdon edhe nga disa portale të tjera. I njoftoj qytetarët e Kosovës se asnjë njohuri e asnjë lidhje me rrethanat që shpien në vrasjen e mbrëmshme nuk kam as unë e as bashkëshorti im, e aq më pak njohuri për ndonjë rast dhunimi”, ka shkruar presidentja.
Më tej, ajo ka shtuar se institucionet e sigurisë dhe drejtësisë duhet të merren me këtë rast.
“Rrethanat që e kanë shtyrë Buzhalën dhe të tjerët në përhapjen e këtyre dezinformatave, kërkoj që urgjentisht të hetohen nga institucionet e sigurisë dhe ato të drejtësisë. Buzhala me “Nacionalen”, dhe disa të tjerë, duke më implikuar mua dhe bashkëshortin tim në situata me të cilat nuk kemi asnjë lidhje të vetme, kanë qëllim të qartë të nxitjes së urrejtjes, e cila pastaj rezulton në dhunë”, pohon presidentja.
Osmani mes tjerash ka theksuar se “kjo lidhje e rrejshme dhe e rrezikshme e krijuar nga këto portale, me vetëdije të plotë dhe me qëllim të rrezikimit të jetës sime dhe të familjes sime, ndërkohë që autoritetet kompetente po e hetojnë rastin, tregon tendencën e drejtpërdrejtë të tyre për rrezikim te jetës, duke na implikuar rrejshëm madje edhe në gjoja ndërhyrje në drejtësi”.
“Ftoj sërish të gjitha organet e sigurisë dhe ato të drejtësisë që t’i hetojnë me prioritet të gjitha rrethanat e kësaj ngjarjeje e njëkohësisht edhe veprimet e këtij portali dhe portaleve të ngjashme që kanë qëllim të qartë për të rrezikuar jetën dhe nxitur urrejtje, e që këtë mision po shihet se e kanë edhe portalet e Serbisë”, vijon reagimi.
Ndryshe, një ngjarje e rëndë ka ndodhur të premten në fshatin Bibaj të Ferizajt, një person u vra në parkingun e sallës e dasmave “Fron Palace”. Viktima S.S i moshës 89-vjeçar dyshohet se u vra nga një zyrtar policor, vrasja dyshohet se është kryer me armë zyrtare, ndërsa i dyshuari ishte jashtë orarit të punës.
Pak orë pas vrasjes, në rrjetet sociale u shpërnda identiteti i personit të vrarë dhe dorasit, viktima ishte axha i Prindon Sadriut, bashkëshortit të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani.
Gjithashtu, sot disa media raportuan se presidentja Osmani dhe bashkëshorti i saj kanë qenë në dijeni lidhur me rastin, dhe se vrasja ka ndodhur për arsye morali. /Telegrafi/