LAJME

Rashiq: Deklarata ime për pronat e Manastirit të Deçanit s’ishte plotësisht e saktë

Rashiq: Deklarata ime për pronat e Manastirit të Deçanit s’ishte plotësisht e saktë
TV Prizreni
TV Prizreni
9 Mars 2026, 10:32

Ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, ka thënë se nuk ishte plotësisht e saktë deklarata e tij, se kryeministri Albin Kurti, i ka thënë se vendimin për kalim në pronësi të Manastirit të Deçanit të 24 hektarëve tokë po e merrte hatri i tij.

Në një sqarim lidhur me deklaratën e dhënë në një intervistë për “Radio Gorazhdevcin”, Rashiq, ka thënë se e ka ngatërruar fjalinë “këtë e kemi bërë për ty” të Kurtit, me një bisedë që kishte ndodhur më herët, gjatë miratimit të vizitës së patriarkut serb.

“Gjatë një paraqitjeje në podkastin e Radios Gorazhdevcin, kam deklaruar se gjatë marrjes së vendimit për kthimin e tokës Manastirit të Deçanit, kryeministri Kurti më ka thënë: ‘Këtë e kemi bërë për ty’. Kjo deklaratë e imja nuk ishte plotësisht e saktë, pasi e kam ngatërruar këtë fjali me një bisedë që kishte ndodhur më herët, gjatë miratimit të vizitës së Patriarkut serb, kur kjo fjali ishte thënë”, thuhet në sqarimin e Rashiqit.

Ai ka thënë se gabimi i tij ka qenë i paqëllimshëm dhe ky ngatërrim i ngjarjeve ka ndodhur për shkak se kanë kaluar disa vite që nga ajo kohë.

“Kërkoj falje nëse deklarata ime ka krijuar konfuzion” – ka shkruar Rashiq.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika