Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar pas përplasjes që ndodhi sot në Kuvendin e Kosovës.
Ai tha se të mos jesh dakord me kryeministrin është demokratike, por sipas tij, ta shprehesh kundërshtinë me forcë është njollosje ndaj vetes, zgjedhësve dhe krejt shtetit.
“Të mos jesh dakord me kryeministrin është demokratike, ta shprehësh kështu kundërshtinë është të njollosësh veten, zgjedhësit e tu dhe krejt shtetin me një turp që sot i bën dëm Kosovës edhe ndërkombëtarisht, më shumë se sa çfarëdo qëndrimi politik që po ia kundërshton kryeministrit”, tha Rama.
Ai më tej tha se “imagjinojini si ndjehen aleatët dhe miqtë e pazevendësueshëm të Kosovës, kur shohin se si kapen për fyti shqiptarët, aty ku duhet të luftohet me ide e me fjalë, jo me sharje e grushta”.
“Uroj shumë që opozita të distancohet nga kjo sjellje e turpshme dhe t’i shërbejë Kosovës me forcën e shembullit, jo me shembullin e forcës”, tha Rama.