Inspektorati Policor po trajton një ankesë të një qytetari kundër dy zyrtarëve policorë për sjelljen e tyre të enjten. Sipas ankesës së qytetarit Dritëro Mehmetaj, në rrugën “Dëshmorët e Kombit” në Prishtinë ai është ndaluar nga dy policët që kanë qenë në rroba civile dhe pasi është ndaluar nuk ka mundur të marrë përgjigje për arsyen e ndaljes, raporton KOHA.
Në ankesën dërguar IPK-së, thuhet se policët janë futur pa dhënë shenja në komunikacion në shiritin ku qarkullonte qytetari duke dalë para veturës së tij. Qytetari ka theksuar disa herë në ankesë se vetura e policëve ashtu si vetë policët kanë qenë civile dhe se nuk ka pasur alarme të ndezur. Mehmetaj ka arsyetuar se derisa vetë ishte nën afekt nga manovra e veturës tjetër, i ka rënë borisë, gjë pas së cilës edhe është ndaluar.
Pas ndërveprimit të dy veturave kur Mehmetaj i bën “me gjeste që të vazhdojë rrugën”, policët kanë lëshuar alarmin në veturë për t’ia bërë me dije se janë zyrtarë dhe e kanë ndaluar. Sipas qytetarit, pasi ia kanë kërkuar dokumentet, asnjëherë nuk janë përgjigjur se pse e kanë ndaluar.





