Qeveria e Kosovës e ka njoftuar paraprakisht QUINT-in dhe të dërguarin e posaçëm të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, lidhur me vendimin për reciprocitet ndaj Serbisë për letërnjoftim, ka bërë të ditur të enjten, Përparim Kryeziu, zëdhënës i Qeverisë së Kosovës.
Kryeziu ka thënë për KOHËN se në fillim të kësaj jave, është mbajtur takimin me përfaqësuesit e këtyre shteteve, të cilave u është kumtuar vendimi.
“Ne mbetemi të përkushtuar për një dialog parimor dhe angazhohemi për arritjen një marrëveshje ligjërisht të obligueshme që në qendër ka njohjen reciproke. Vendimi i djeshëm i Qeverisë së Republikës së Kosovës në lidhje tabelat e veturave dhe letërnjoftimet është një vendim proporcional për të vendosur rend dhe ligj. Ne kemi dëshmuar gatishmërinë dhe konstruktivitetin e duhur për arritjen e një marrëveshje të përhershme për çështjen e targave, dhe tashmë ka dëshmi të fortë që një gjë është pamundësuar për shkak të destruktivitet nga pala e serbe. Përveç z. Lajçak, për propozimin dhe vendimin tonë kanë qenë të njoftuar edhe shtetet e QUINT-it me të cilët, sikurse edhe kemi njoftuar nëpërmjet një komunikate për medie, kemi mbajtur një takim në fillim të kësaj jave”, ka thënë Kryeziu.





