50 mijë euro ndihmë financiare i ka ndarë Qeveria në detyrë për veprimtarin e çështjes kombëtare në mërgatë, Hafiz Gagica. Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se ai po përballet me një sëmundje të rëndë.
Gagica, siç tha ai, ka dhënë kontribut të madh gjatë viteve ’90 në organizimin politik të diasporës shqiptare si dhe në mbështetjen e institucioneve të pavarura të Kosovës.
“Aktualisht, ai vuan nga një sëmundje tejet e rëndë që kërkon trajtim të mjaftueshëm mjekësor, kujdes të veçantë dhe shpenzime të konsiderueshme që familja e tij nuk mund t’i përballojë”- tha Kurti në mbledhjen e Qeverisë më 19.12.2025.
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz, duke ndarë një pjesë të biografisë së tij, tregoi se Gagica luan një rol jetik në lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
“Ai [Gagica] ka të drejtë të pres solidaritetin tonë, të njëjtin solidaritet që ai e tregoi pa hezitim për Kosovën në kohën e kërcënimit më të madh”- tha ajo.
Gërvalla, para kabinetit qeveritar tha se në vitet ’90, Hafiz Gagica luajti rol të rëndësishëm në mbrojtjen dhe çlirimin e Kosovës në ngritjen dhe fortësimin e sistemit paralel gjatë represionit të ushtruar nga Serbia, si dhe në përfaqësimin e një zëri të fuqishëm dhe të padiskutueshëm në Gjermani.
Ajo tha se Gagica ishte bartës kryesor i organizimit të mërgatës në Gjermani e në Europë, duke marrë rol kyç në lidhjet mes Kosovës dhe shteteve të Europës, përmes një zyre që ai kishte në Shtuttgart.
“Një numër i madh udhëtimesh të presidentit Rugova dhe të delegacioneve të tjera në Gjermani, Zvicër e shtete të tjera europiane e SHBA, u organizuan nga kjo qendër në Shtutgart nën udhëheqjen e tij”- tha ajo.
Sipas Gërvallës, Gagica pati rol vendimtar në organizimin dhe financimin në sistemin paralel të Kosovës në arsim, shëndetësi e furnizimit ushqimor.
Ajo tha se Gagica ishte nismëtar i demonstrateve të shqiptarëve në Gjermani për ta bërë zërin e Kosovës të dëgjueshem në proceset politike në Gjermani dhe në arenën ndërkombëtare.
“Tubimi më i madh i organizuar ndonjëherë nga një organizate jogjermane në historinë e e Republikës Federale Gjermane ishte në vitin në 1998 në Bonn ku morën pjesë 100 mijë pjesëmarrës duke kërkuar lirinë për Kosovën dhe përfundimin e shtypjes serbe”- shtoi ajo.
Hafiz Gagica ishte kryetar i LDK-së për diasporë dhe një nga bashkëpunëtorët e afërt të ish-presidentit, Ibrahim Rugova./KALLXO.com