Në një përgjigje ekskluzive për Gazetën Express nga Qeveria Federale e Gjermanisë që drejtohet nga kancelari, Olaf Scholz, kanë thënë se qëndrimi i Berlinit zyrtar për liberalizimin e vizave për Kosovën mbetet i pandryshueshëm.
Nga Qeveria Gjermane kanë thënë se mbështesin vendimet për liberalizim të vizave që i përkasin Këshillit të Bashkimit Evropian, e që i garantojnë Kosovës lëvizjen pa viza nga 1 janari 2024.
“Qëndrimi gjerman mbetet i pandryshuar: Ne mbështesim vendimet për liberalizimin e vizave që i përkasin Këshillit të Bashkimit Evropian”, ka thënë një zëdhënës i Qeverisë Gjermane në pyetjet e Gazetës Express se a do të ndodh liberalizimi më 1 janar 2024 dhe nëse ka gjasa të shtyhet si pasojë e dialogut Kosovë-Serbi.
Këshilli i Bashkimit Evropian më 9 mars të këtij viti kishte marrë vendim për t’i dhënë dritën jeshile për udhëtim pa viza në Zonën Schengen.
“Këshilli sot miratoi qëndrimin e tij në leximin e parë për lëvizjen pa viza për mbajtësit e pasaportave të lëshuara nga Kosova”, thuhet në njoftimin zyrtar të publikuar në faqen e Këshillit të Bashkimit Evropian ku 1 janari 2024 përmendet si kohë kur fillon zbatimi i vendimit.