Prizreni vazhdon të tërheqë turistë për vlerat historike, bukurinë dhe mikpritjen, por prania e qenve endacakë mbetet shqetësim për vizitorët dhe banorët. Komuna po ndërton një strehimore me kapacitet për rreth 250 qen, e cila pritet të përfundojë në fillim të vitit 2027.
Zona historike e qytetit të Prizrenit është ndër më të vizituarat nga turistët. Për ta, ky qytet ka vlera të veçanta, pasi i tërheq jo vetëm për pamjen, por edhe për mikpritjen.
Por, një nga sfidat me të cilat përballet turizmi në këtë komunë mbetet prania e qenve endacakë.
“Është qyteti më i bukur për mendimin tim, njerëzit i ka të mrekullueshëm, lokalet buzë lumit janë shumë të mira, kanë ushqime cilësore. Sa ju shqetësojnë ju si turistë qentë endacakë? Ah, lëre mos e pyet, ajo është problem edhe në Shqipëri, me kope i kemi në Durrës ne”, tha turisti nga Shqipëria, Flamur Jahupaj.
Shqetësimin për sigurinë dhe rrezikun që paraqesin ata, e shprehin edhe qytetarët rezidentë.
“Vërtet është shqetësim i madh për krejt qytetin, jo vetëm për turistë, por veçanërisht për fëmijët, mirëpo se si ta parandalojmë këtë nuk kisha ditë me ju thënë. E di që herë pas here kanë marrë ndonjë aksion për t’i hequr e për t’i dërguar në strehimore të ndryshme, por prapë shohim që veçanërisht kohëve të fundit ka shumë qen”, tha qytetari nga Prizreni, Hilmi Bytyqi.
“Ka qen që edhe nuk janë të mirëmbajtur, që të lënë përshtypje edhe me i pa, janë shumë të lodhur e nuk kanë edhe ushqim të mjaftueshëm, me pas mundësi me i dërgu në një strehimore ishte shumë më mirë”, u shpreh qytetari tjetër nga Prizreni, Beqir Buzhala.
Ndërtimi i një strehimoreje për qentë endacakë kishte filluar në vitin 2025.
“Është një strehimore moderne, ku përveç trajtimit të qenve aty do të ndodhë edhe shërimi i plagëve apo operime të ndryshme ndaj kafshëve që ju ndodhin fatkeqësi, është me kapacitete të mëdha, diku tek 250 qen ka hapësirë”, tha drejtori i Bujqësisë në Prizren, Nderim Kadrijaj.
Strehimorja e përkohshme pritet të përfundojë në fillim të vitit 2027. /RTK/