Kalo te përmbajtja
LAJME

Kurti në Dublin: Kosova dëshiron të kontribuojë në një Evropë më të bashkuar dhe më të sigurt

Kurti në Dublin: Kosova dëshiron të kontribuojë në një Evropë më të bashkuar dhe më të sigurt
TV Prizreni
TV Prizreni
14 Nëntor 2026, 14:46

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka mbajtur një adresim dhe diskutim në Institutin për Çështje Ndërkombëtare dhe Evropiane (IIEA) në Dublin, me temën “Rrugëtimi i Kosovës: Nga shtetësia drejt integrimit evropian”.

Para adresimit, Kurti është pritur në takim nga drejtori i përgjithshëm i IIEA-së, Mark Redmond.

Ai ka rikujtuar se javën e kishte nisur në Francë, në Forumin e Paqes në Paris, me temën “Ta bëjmë paqen të qëndrueshme: Rindërtimi i shoqërive pas luftës”, ndërsa po e përfundonte në Dublin, në Samitin e Komunitetit Politik Evropian.

Kurti ka thënë se Kosova dhe Irlanda ndajnë vlerësimin e thellë për vetëvendosjen dhe identitetin kombëtar, krenarinë për kontributin e jashtëzakonshëm të diasporave dhe bindjen se pavarësia e një vendi dhe integrimi i tij evropian mund ta forcojnë njëri-tjetrin.

Ai ka përmendur edhe lidhjen historike dhe njerëzore mes dy vendeve, duke rikujtuar se në vitin 1928, në moshën 18-vjeçare, Gonxhe Bojaxhiu, e lindur nga prindër shqiptarë nga Kosova, me prejardhje nga Prizreni dhe Gjakova, kishte ardhur në Dublin për t’iu bashkuar Motrave të Loretos, në Loreto Abbey në Rathfarnham.

Kurti ka thënë se Nënë Tereza, siç do të njihej më vonë, është simbol i traditës katolike ndër shqiptarët në Kosovë. Ai ka rikujtuar se çdo vit mijëra pelegrinë mblidhen në fshatin Letnicë, në juglindje të Kosovës, për t’u lutur në Kishën e Zojës së Madhe, ku Nënë Tereza, në moshë të re, kishte ndier thirrjen për t’ia kushtuar jetën Zotit dhe shërbimit ndaj njerëzimit.

Kryeministri ka theksuar se është veçanërisht i kënaqur që ndodhet në Irlandë gjatë Presidencës së këtij shteti në Këshillin e Bashkimit Evropian. Sipas tij, me zgjerimin që është rikthyer si prioritet strategjik i Evropës, Irlanda mund ta shndërrojë momentumin e ri në përparim konkret.

Duke iu referuar diskutimeve në Forumin e Paqes në Paris, Kurti ka thënë se përfundimi i një lufte është vetëm hapi i parë, ndërsa sigurimi i paqes së qëndrueshme kërkon përpjekje të vazhdueshme nga institucionet dhe qytetarët për të krijuar mundësi, për të siguruar mirëqenie dhe për të ofruar një të ardhme të besueshme evropiane.

“Ne jemi vend evropian. Kushtetuta jonë është e re, por populli ynë, gjuha jonë, disa nga traditat dhe kultura jonë janë të lashta”, ka thënë Kurti, duke shtuar se anëtarësimi në Bashkimin Evropian ka të bëjë me bashkimin e Evropës.

Ai ka theksuar se Kosova dëshiron të kontribuojë në një Evropë më të bashkuar dhe më të sigurt.

Duke folur për rrugëtimin drejt shtetësisë, Kurti ka thënë se ai është histori e përpjekjeve dhe sakrificave të shumë brezave ndër shekuj.

Ai ka rikujtuar dekadat e represionit dhe diskriminimit të ngjashëm me aparteidin ndaj shqiptarëve, të cilat kulmuan me protesta masive paqësore dhe më pas me luftën çlirimtare, të pasuar nga ndërhyrja e NATO-s në vitin 1999 për të ndalur gjenocidin e Serbisë, të cilin e ka cilësuar si të katërtin ndaj shqiptarëve që nga fundi i shekullit XIX.

Kurti ka thënë se Kosova ia detyron lirinë dhe pavarësinë rezistencës dhe luftës së popullit të saj, si dhe solidaritetit të vendeve demokratike që nuk qëndruan indiferente përballë gjenocidit të Serbisë.

Ai ka shprehur mirënjohje të përhershme për Irlandën, e cila e njohu pavarësinë e Kosovës në vitin 2008, në të njëjtin muaj kur Kosova e shpalli atë.

Sipas Kurtit, Kosova nuk i lejoi padrejtësitë e së kaluarës ta përcaktonin shtetin që do të ndërtonte. Ai ka thënë se vendi ka ndërtuar një republikë demokratike të qytetarëve, të bazuar në dinjitetin njerëzor, të drejtat e barabarta dhe sundimin e ligjit.

Ai ka rikujtuar se nga viti 2008 deri në vitin 2012 Kosova kishte pavarësi të mbikëqyrur, ndërsa në vitin 2010 Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë kishte dhënë opinionin se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk e kishte shkelur të drejtën ndërkombëtare.

Duke folur për zhvillimet që nga shpallja e pavarësisë, Kurti ka thënë se 18 vjet pas saj, Kosova e ka shndërruar kontributin e bashkësisë ndërkombëtare në një histori suksesi të ndërtimit të demokracisë.

Ai ka përmendur zgjedhjet konkurruese, ekonominë e hapur të tregut, shoqërinë civile aktive, lirinë e shprehjes dhe faktin se një gjeneratë e tërë është rritur duke njohur vetëm Kosovën e pavarur.

Kryeministri ka theksuar se këto arritje pasqyrojnë punën e përditshme të qytetarëve, nëpunësve civilë, akademikëve, gazetarëve, sipërmarrësve dhe organizatave të shoqërisë civile, të cilët gjithmonë presin më shumë nga institucionet.

Ai ka thënë se demokracia është një proces në vazhdim dhe se besimi i qytetarëve duhet të fitohet vazhdimisht. Sipas tij, kritikat dhe mbikëqyrja nuk konsiderohen pengesa, por pjesë thelbësore e jetës demokratike.

Duke iu referuar vlerësimeve ndërkombëtare, Kurti ka thënë se Transparency International e ka ngritur Kosovën për 28 vende në renditjen për korrupsionin.

Ndërkaq, sipas World Justice Project, Kosova renditet e dyta në Ballkanin Perëndimor për sundimin e ligjit dhe e para për rendin dhe sigurinë.

Ai ka përmendur edhe se organizata Reporterët pa Kufij e ka ngritur Kosovën për 15 vende këtë vit në renditjen për lirinë e shtypit, ndërsa Instituti V-Dem e klasifikon vendin si demokraci elektorale.

Kurti ka thënë se në një kohë kur standardet demokratike janë nën presion në shumë pjesë të Evropës dhe më gjerë, këto janë arritje që meritojnë vlerësim.

Duke folur për të drejtat e komuniteteve, ai ka theksuar se Kushtetuta e Kosovës mbron të drejtat e të gjithë qytetarëve, me dispozita të veçanta për komunitetet pakicë, veçanërisht për komunitetin serb.

Ai ka thënë se anëtarësimi në Këshillin e Evropës do të sillte përfitime të mëtejshme, përfshirë qasjen në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Në aspektin ekonomik, Kurti ka thënë se gjatë kësaj dekade ekonomia e Kosovës është rritur mesatarisht për më shumë se katër për qind në vit, pavarësisht pandemisë, krizës energjetike dhe inflacionit.

Sipas tij, janë rritur eksportet, investimet dhe punësimi, duke i dhënë vendit kapacitet më të madh për të mbështetur qytetarët.

Ai ka përmendur shtesat për fëmijë dhe mbështetjen për nënat e reja, arsimin e lartë publik pa pagesë, rritjen e pensioneve dhe pagës minimale, si dhe zgjerimin e mbështetjes për fermerët dhe bizneset e reja.

Kurti ka thënë se përmes platformës digjitale e-Kosova janë të disponueshme më shumë se 330 shërbime publike online, ndërsa në dy vitet e ardhshme pritet të shtohen edhe 400 shërbime të tjera.

Ai ka theksuar se kjo është veçanërisht e rëndësishme për një vend me një nga popullsitë më të reja në Evropë.

“Të rinjtë tanë janë shumëgjuhësh, të aftë në teknologji dhe sipërmarrës. Ata nuk janë thjesht e ardhmja e Kosovës. Ata tashmë po e formësojnë të tashmen e saj”, ka thënë Kurti.

Duke folur për diasporën, kryeministri ka thënë se Irlanda e kupton se si njerëzit mund të largohen nga atdheu, por të mbeten thellësisht të lidhur me të.

Ai ka theksuar se diaspora e Kosovës i ka mbështetur familjet gjatë viteve të vështira, ka përkrahur luftën për liri dhe vazhdon të kontribuojë përmes investimeve, njohurive dhe rrjeteve të bashkëpunimit.

Sipas tij, pjesëtarët e diasporës jetojnë dhe punojnë në vendet e Bashkimit Evropian prej dekadash, prandaj populli i Kosovës është pjesë e Bashkimit Evropian shumë kohë para se shteti dhe institucionet e tij të anëtarësohen në të.

Kurti ka thënë se liberalizimi i vizave, i cili hyri në fuqi më 1 janar 2024, nënkuptoi shumë më tepër sesa udhëtimin më të lehtë.

Ai ka theksuar se për të rinjtë, në veçanti, u hapën mundësi të reja për ta njohur Evropën, për të marrë pjesë në konferenca, për të shkëmbyer ide dhe për të krijuar marrëdhënie me bashkëmoshatarët në të gjithë kontinentin, pa pengesat me të cilat ishin përballur gjeneratat e mëparshme.

Duke folur për Bashkimin Evropian, Kurti ka thënë se përkushtimi i Kosovës ndaj BE-së pasqyron vlerat mbi të cilat është themeluar Republika dhe drejtimin që qytetarët e kanë zgjedhur vazhdimisht.

Ai ka theksuar se Kosova ka orientim të qartë strategjik dhe vleror dhe synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe NATO.

Kryeministri ka rikujtuar se që nga hyrja në fuqi e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit me BE-në në vitin 2016, Kosova ka punuar për përafrimin e ligjeve, politikave dhe institucioneve me standardet evropiane.

Ai ka përmendur përparimin në reformat në sektorin e energjisë, administratën publike, punësimin dhe zhvillimin industrial, si dhe përshpejtimin e tranzicionit të gjelbër dhe digjital.

Sipas tij, këto përpjekje po ndërtojnë një ekonomi më konkurruese dhe gjithëpërfshirëse, ndërsa Tregu i Përbashkët Rajonal shërben si hap drejt integrimit më të thellë në Tregun e Përbashkët të BE-së.

Kurti ka thënë se Kosova dëshiron që bizneset e saj të konkurrojnë në tregje më të gjera, universitetet të bashkëpunojnë më ngushtë me partnerët evropianë dhe qytetarët të përfitojnë nga institucione transparente, efektive dhe llogaridhënëse.

Megjithatë, ai ka theksuar se procesi i anëtarësimit duhet të jetë i drejtë dhe i besueshëm.

Kurti ka rikujtuar se Kosova aplikoi për anëtarësim në Bashkimin Evropian më 15 dhjetor 2022, gjatë Presidencës çeke të Këshillit të BE-së.

Ai ka theksuar se Irlanda është presidenca e tetë që nga aplikimi i Kosovës dhe se vendi ende mbetet i vetmi në Ballkanin Perëndimor pa statusin e vendit kandidat.

“Ne duhet ta vlerësojmë aplikimin tonë dhe të fillojmë negociatat për anëtarësim. Ne nuk kemi kërkuar kurrë trajtim të veçantë, vetëm trajtim të barabartë”, ka thënë Kurti.

Ai ka pranuar se Kosova ka pengesa në këtë rrugëtim, por ka theksuar se me përkushtim të sinqertë ekziston një rrugë përpara.

Duke folur për bashkëpunimin rajonal, Kurti ka thënë se integrimi evropian dhe bashkëpunimi rajonal duhet ta përforcojnë njëri-tjetrin dhe se mosmarrëveshjet politike të pazgjidhura nuk duhet ta pengojnë përparimin në reformat që sjellin përfitime për qytetarët.

Ai ka përmendur pesë marrëveshjet e nënshkruara në kuadër të Procesit të Berlinit, të cilat kanë të bëjnë me lëvizjen e lirë me letërnjoftime, njohjen e kualifikimeve të arsimit të lartë, kualifikimeve profesionale dhe qasjen në studime.

Sipas tij, të gjitha këto marrëveshje po përballen me mungesë zbatimi.

Kurti ka theksuar se mosmarrëveshjet dypalëshe duhet ta kenë kapitullin e tyre të veçantë në procesin e anëtarësimit, në mënyrë që një çështje të mos e ndalë përparimin në të gjitha fushat e tjera që përmirësojnë jetën e qytetarëve.

Ai ka shtuar se Kosova është plotësisht e harmonizuar me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të Bashkimit Evropian, përfshirë sanksionet kundër Rusisë dhe mbështetjen për Ukrainën.

Duke folur për kërcënimet ndaj sigurisë, Kurti ka përmendur sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit, më 24 shtator 2023, dhe sulmin ndaj infrastrukturës kritike në Varagë të Zubin Potokut, më 29 nëntor 2024. Ai ka thënë se këto sulme tregojnë se fqinji verior i Kosovës vazhdon të ndjekë një qasje agresive dhe mbetet kërcënim kryesor për sigurinë kombëtare të vendit.

Sipas tij, kërkimi i përgjegjësisë për këto sulme është thelbësor jo vetëm për drejtësinë, por edhe për parandalimin e sulmeve të ardhshme. Në fund të adresimit, Kurti ka thënë se Irlanda e di se si anëtarësimi në Bashkimin Evropian mund të hapë horizonte të reja, duke ruajtur njëkohësisht identitetin, gjuhën, kulturën dhe zërin e një vendi.

Ai ka theksuar se Irlanda tregon gjithashtu se si shtetet më të vogla mund ta forcojnë Bashkimin Evropian. “Kosova dëshiron të anëtarësohet për të kontribuar në një Evropë më të sigurt dhe më të begatë”, ka thënë Kurti.

Ai ka shprehur besimin se Irlanda, gjatë pjesës së mbetur të Presidencës së saj në BE dhe pas saj, do ta mbështesë synimin e Kosovës për anëtarësim. Në përfundim, kryeministri ka ndarë edhe një reflektim personal, duke rikujtuar kohën kur ishte aktivist studentor dhe kur luftohej për të drejtën për ta përcaktuar të ardhmen.

Ai ka thënë se sot të rinjtë pyesin se deri ku mund t’i çojnë ambiciet e tyre, ndërsa përgjegjësia e institucioneve është të largojnë kufizimet dhe të krijojnë mundësi për zhvillimin e tyre. Kurti ka theksuar se Kosova ka bërë një rrugë të gjatë dhe mbetet e përkushtuar ndaj kapitullit të ardhshëm të procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Në fund, ai ka përmendur edhe futbollin si një nga fushat ku Kosova dhe Irlanda tashmë takohen si të barabarta, përmes UEFA-s.

Ai ka thënë se ndeshjet e futbollit i kanë afruar më shumë popujt e të dyja vendeve, ndërsa ka shprehur bindjen se tifozët kosovarë që do ta vizitojnë Irlandën javën e ardhshme do ta shijojnë mikpritjen e saj./EO

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika