LAJME

Punëtorët e KEK-ut paralajmërojnë protestë të re më 19 nëntor, kërkojnë paga meritore

Punëtorët e KEK-ut paralajmërojnë protestë të re më 19 nëntor, kërkojnë paga meritore
TV Prizreni
TV Prizreni
14 Nëntor 2026, 13:09

Sindikata e Re e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) ka paralajmëruar vazhdimin e protestave, duke kërkuar paga meritore dhe trajtim më dinjitoz për punëtorët.

Përmes një njoftimi publik, sindikata ka bërë të ditur se protesta e radhës do të mbahet më 19 nëntor 2026, në orën 11:00, në Prishtinë.

Në thirrjen drejtuar punëtorëve, sindikata thekson se protesta synon përmirësimin e kushteve të punës dhe vlerësimin e kontributit të punonjësve të KEK-ut.

“Vazhdojmë të bashkuar për fëmijët tanë, për familjet tona, për prindërit tanë, për dinjitetin tonë dhe për një të ardhme me paga meritore, që të jemi krenarë për punën që bëjmë në KEK”, thuhet në njoftim.

Sindikata ka shprehur pakënaqësi për nivelin e pagave, duke theksuar se punëtorët përballen çdo ditë me punë të rëndë dhe rrezik të lartë.

“Jo të varfëruar, jo të nëpërkëmbur, jo të pavlerësuar, jo pa dinjitet dhe jo të lodhur duke humbur shëndetin, duke u varfëruar nga pagat e ulëta, puna e rëndë dhe rreziku i lartë me të cilin përballemi çdo ditë”, thuhet më tej në reagim.

“Të vendosur, vazhdojmë të bashkuar”, përfundon njoftimi i Sindikatës së Re të KEK-ut.

Protesta e paralajmëruar për 19 nëntor vjen pas thirrjes së mëparshme të punëtorëve për protestë më 12 nëntor, përmes së cilës ishin ngritur kërkesat për rritje dhe nivelizim të pagave, si dhe për pagën e 13-të.

Kjo përmbajtje ofrohet nga Facebook. Duke e ngarkuar, pranoni që Facebook të vendosë cookies.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika