Me arritjen e marrëveshjes në Bruksel ndërmjet palës kosovare dhe asaj serbe më 30 shtator, që nga dita e nesërme në pikat 1 dhe 31 pritet të zhbllokohet rruga nga protestuesit serbë, të cilët kanë qëndruar për 12 ditë rresht në shenjë proteste për reciprocitetin e taksës.
Grupi i fundit i Njësitit Special të forcave policore të Kosovës që do qëndrojë në veri të vendit, i cili do ta fillojë ndërrimin në ora 00:00, do të zëvendësohet nga ora 08:00 deri më 16:00 nga trupat e KFOR’it.
Këto informata i ka bërë të ditur gazetari i T7, Çlirimtar Morina nga pika kufitare Jarinjë, derisa bëri me dije se protestuesit serbë po bëjnë gati makinat që të lirojnë rrugën deri në mëngjes.
“Ka një optimizëm nga protestuesit që të largohen nga pikat e bllokadës në ora 08:00 nesër. Gjatë ditës kanë punuar me makineritë e tyre që t’i gjejnë ata në ora 08:00, ashtu siç është arritur marrëveshja më 30 shtator në Bruksel”, bëri me dije ai.
Ai tregoi edhe se ndërrimi i anëtarëve të Njësitit Special do bëhet nga ora 00:00, e jo nga ora 20:00 siç bëhej zakonisht.