Kryetari i Shoqatës së Transportit Rrugor, Ruzhdi Kurtishaj, ka treguar për defilimin që do të bëhet nesër nëpër rrugën e Prishtinës me autobusë në shenjë proteste.
Kurtishaj sërish ka përsëritur se nuk do të ndalet greva, derisa Qeveria të respektojë marrëveshjen që është nënshkruar në janar, për subvencionim.
Transporti ndërurban dhe ai periferik urban, të mërkurën, janë futur në grevë të përgjithshme, duke lënë pa autobusë shumë udhëtarë, nga të gjitha rajonet e Kosovës.
“Këshilli drejtues ka marrë vendim që nesër shumë autobusë të sillen nga gjithë rajonet e Kosovës e të defilojnë në kryeqendër Prishtinë, për të sensibilizuar edhe njëherë opinionin e Qeverinë e Kosovës që jemi këtu e protesta nuk do të ndalet deri në realizimin e kërkesave. Është momenti i fundit që Qeveria të reflektojë, e të futet ky sektor në Pakon për Rimëkëmbje. Është për të ardhur keq pasi Qeveria ka gjetur forma për të mbështetur parukeritë, marketet, barnatoret, furrat e bukës, e nuk ka gjetur për të mbështetur këtë sektor shumë të rëndësishëm. Qëllimi i grevës është që të mbajmë në punë 6000 të punësuar në mënyrë direkte. E këta autobusë të mund të kompensohen e të përgatitemi për periudhën pas COVID-19”, ka thënë Kurtishaj në KTV.
Ai ka treguar se më 28 janar ishte nënshkruar marrëveshja me Ministrinë e Infrastrukturës për mbështetje të sektorit të transportit ndër-urban dhe ndërkombëtarë, por nuk është bërë kjo.