Organizata joqeveritare, ETEA, e ka quajtur më të arsyeshme pezullimin e organizimit të testeve kombëtare, atij të arritshmërisë dhe atij të maturës, deri në krijim të kushteve për testim të drejtë, korrekt e të barabartë, sesa të vazhdohet me shkeljet që po e përcjellin procesin çdo vit.
Të shtunën, 22 mijë nxënës të klasave të 12-a do t’i nënshtrohen provimit të maturës. Provimi i maturës do të organizohet pak ditë pasi klasat e nënta përfunduan testin e arritshmërisë, që u përcoll me kopjime, sikur çdo vit.
ETEA ka propozuar që të shqyrtohet mundësia e përfshirjes së bllokuesve të valëve në qendrat e testimit përgjatë zhvillimit të testeve; të pajisen komisionarët dhe administruesit me detektorë për zbulimin e pajisjeve elektronike; dhe të rimendohet organizimi i grupeve punuese me sa më shumë zyrtarë e njohës të krimeve kibernetike për t’u qasur në grupet ku po bëhet kopjimi.
Janë grupe të shumta në Viber e Facebook që në vazhdimësi viteve të fundit kanë shërbyer si hapësira kopjimi për nxënësit. Ministria e Arsimit të premten njoftoi se për provimin e maturës ka angazhuar ekspertë të kibernetikës, ndërsa paralajmëroi edhe marrjen e masave ndaj atyre që thyejnë rregullat.
Organizata ETEA ka përshëndetur përfshirjen e ekspertëve kibernetikë në grupe punuese, por ka thënë se kjo është e pamjaftueshme. Teksa ka dhënë tri rekomandimet që lidhen kryesisht me pengesat për valët e internetit në qendrat e testimit, ETEA ka thënë se në të kundërtën duhet të mendohet pezullimi i testeve kombëtare deri të krijohen kushtet për organizim të mirëfilltë.
“Në të kundërt, ETEA konsideron se është më e arsyeshme të pezullohet organizimi i testeve kombëtare për klasat e 9-ta dhe 12-ta derisa te krijohen kushtet për testim të drejtë, korrekt dhe trajtim të barabartë të fëmijëve – se sa të vazhdohet në këtë mënyrë vit pas viti. Pasi kjo, para se gjithash, është e dëmshme për vet nxënësit/et e Kosovës të cilët, tani e disa vite vazhdojnë të prijnë në kontinentin evropian për analfabetizëm funksional”, thuhet në reagimin e kësaj organizate.