LAJME

Prokuroria në Prizren kërkon paraburgim për dy zyrtarë bankarë të dyshuar për keqpërdorim detyre

Prokuroria në Prizren kërkon paraburgim për dy zyrtarë bankarë të dyshuar për keqpërdorim detyre
TV Prizreni
TV Prizreni
22 Maj 2026, 14:20

Prokuroria Themelore në Prizren ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prizren caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh ndaj dy zyrtarëve bankarë, të identifikuar me inicialet U.Z. dhe K.K., nën dyshimin për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Sipas Prokurorisë, të dyshuarit ndodhen në ndalim 48-orësh dhe dyshohet se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Në komunikatën e Prokurorisë thuhet se U.Z., në cilësinë e menaxherit të bankës, pas aprovimit të një kredie nuk e ka njoftuar të dëmtuarën R.L. nga Prizreni dhe ka liruar mjete financiare në vlerë prej 24 mijë eurosh nga llogaria e saj pa dijeninë e saj.

Ndërkaq, sipas organit të akuzës, i dyshuari tjetër K.K., në cilësinë e analistit të kredisë, ka ekzekutuar transferimin e mjeteve në llogaritë e dy bizneseve, nga 12 mijë euro për secilin.

Prokuroria vlerëson se me këto veprime, të dyshuarit e kanë ngarkuar të dëmtuarën me kredi fiktive në vlerë prej 25 mijë eurosh dhe procedurë përmbarimore, duke i shkaktuar dëm material në të njëjtën shumë.

Lidhur me rastin, autoritetet kanë kryer bastisje në shtëpitë dhe objektet përcjellëse të të dyshuarve, ku janë sekuestruar prova materiale dhe digjitale që konsiderohen të rëndësishme për procedurën hetimore.

Prokuroria Themelore në Prizren ka bërë të ditur se mbetet e përkushtuar në luftimin e kriminalitetit dhe forcimin e sundimit të ligjit.

 

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika