Zyra e kryeministrit, përmes një komunikatë për media, ka njoftuar se kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka vazhduar takimet me kryetarët e komunave veriore të vendit dhe drejtorët komunalë. I shoqëruar nga ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rašić dhe ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, kësaj radhe bëhet e ditur se pritën për mëngjes pune në kryeministri, kryetarin e komunës së Leposaviqit, Lulzim Hetemi, nënkryetaren, Marina Bogojević dhe drejtorë komunalë.
Gjatë takimit bëhet e ditur se u diskutua gjerësisht mbi qeverisjen komunale në 15 muajt e fundit, shërbimet e reja, përfshirë ato që ofrohen nga agjencitë qendrore, sikurse Agjencia e Punësimit dhe Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve, dhe praktikat e mira të vendosura me udhëheqjen aktuale. U diskutua edhe rreth sfidave të trashëguara dhe nevojën për investime kapitale për qasje në ujë të pijshëm, ndriçim publik dhe infrastrukturë, veçanërisht në fshatra dhe zona të thella të komunës, thuhet tutje në njoftim.






