Një prej projekteve më të mëdha energjetike mbështetet me fondet amerikane. Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) ka organizuar procedurat e parakualifikimit rreth dizajnimit dhe ndërtimit të sistemeve të mëdha për ruajtjen e energjisë elektrike nëpërmjet baterive.
Zyrtarë të lartë qeveritarë kanë shprehur besimin se stabilizimi i sistemit elektroenergjetik dhe njëkohësisht edhe ulja e kostos së importit do të arrihet nëpërmjet sistemit të baterive, projekt ky i cili është i mbështetur nga Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC).
Në konferencën e organizuar të premten për procedurat e parakualifikimit rreth dizajnimit dhe ndërtimit të sistemeve të mëdha për ruajtjen e energjisë nëpërmjet baterive, kryeministri Albin Kurti ka thënë se projekti do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë.
“Së pari, do të stabilizojnë sistemin elektroenergjetik të vendit dhe do ta ulin koston e importit të energjisë. Së dyti, do të rrisin sigurinë dhe besueshmërinë e furnizimit me energji, si në amvisëri ashtu edhe për bizneset tona. Së treti, do të hapin rrugën për integrimin e mëtejshëm të energjisë nga burimet e ripërtëritshme, si era, uji dhe dielli”, ka theksuar Kurti.
E ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka thënë se përdorimi i sistemit të baterive, të cilat do të vendosen në Ferizaj dhe në Istog, do ta ndihmojë edhe ekonominë e Kosovës.
“Rezervat e energjisë që do të ndërtohen përmes këtij programi do t’ia kursejnë sistemit elektroenergjetik të Kosovës një shumë prej më shumë se 15 milionë eurosh në vit. Sistemi i ruajtjes së energjisë në KOSST me kapacitet 45 MW, gjithsej 90 MW orë rezerva, për rezervën sekondare merr akivizim automatik, do të sigurohet për sigurimin e shërbimeve ndihmëse për balancimin e sistemit elektroenergjetik nga KOSST-i dhe gjithashtu përtej anës teknike e plotëson një kusht të anëtarësimit në NSI, që është gjithashtu shumë e rëndësishme”, ka thënë Rizvanolli.
Marrëveshja prej 200 milionë eurosh për projektin e baterive mbështetet nga fonde amerikane është nënshkruar tre vjet më parë ndërmjet Qeverisë dhe Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit./KOHA/