LAJME

Haradinaj kërkon kthimin e deputetëve në Kuvend: Ikja e Kurtit dhe LVV-së është “dezertim”

Haradinaj kërkon kthimin e deputetëve në Kuvend: Ikja e Kurtit dhe LVV-së është “dezertim”
TV Prizreni
TV Prizreni
5 Tetor 2026, 22:07

Ish-kryetari i Aleancës, Ramush Haradinaj, u ka bërë thirrje kryeministrit Albin Kurti dhe deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje që të rikthehen në Kuvendin e Kosovës dhe të votojnë në lexim të dytë Ligjin për Dhomat e Specializuara.

Haradinaj e ka kritikuar largimin e deputetëve nga seanca, duke e cilësuar atë si “dezertim”, në një kohë kur vendi po përballet me protesta dhe tensione.

“Kurti, deputetë e Lëvizjes Vetëvendosje dhe të gjithë deputetët të kthehen në Kuvend. Të votojmë ligjin për Dhomat e Specializuara në lexim të dytë dhe t’i kthehemi agjendës shtetërore, ashtu si na takon si deputetë”, ka deklaruar Haradinaj.

Sipas tij, largimi nga Kuvendi në një situatë të tillë nuk është i arsyeshëm.

“Ikja e Kurtit, ikja e Vetëvendosjes, fshehja është baras me dezertim sot. Dezertorët gjithmonë gjejnë arsye e motive, mbështeten apo fshihen pas shumë kauzave, por nuk është dita me ikë sot nga Kuvendi i Kosovës, kur i kemi edhe qytetarët në protesta”, është shprehur ai.

Haradinaj ka kritikuar edhe përdorimin e gazit lotsjellës nga Policia e Kosovës gjatë protestave. Ai e ka cilësuar si të dënueshme situatën në të cilën, sipas tij, policia po përballet me qytetarët e vendit.

“Fshehja e Kurtit edhe e Lëvizjes Vetëvendosje, përdorimi i policisë për t’i shpërndarë protestuesit me gaz lotsjellës dhe krijimi i një situate çfarë po e shohim në këtë qytet, kur Policia e Kosovës po përballet me vëllezër e motra të veta, me qytetarët e këtij vendi, është vërtet e dënueshme”, ka thënë Haradinaj.

Ai u ka bërë thirrje deputetëve që të rikthehen në Kuvend dhe të përmbushin detyrimet e tyre kushtetuese.

“Pra, në një situatë të tillë, ata që kanë ende ndërgjegje t’i bëjnë thirrje të kthehen në Kuvend. Ta votojmë Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe t’i kthehemi agjendës shtetërore”, ka deklaruar ai.

Haradinaj ka vlerësuar se ndërprerja e seancës dhe largimi i deputetëve po ndodh në një moment kritik për vendin, duke pasur parasysh edhe afatin kushtetues për zgjedhjen e presidentit.

“Nuk ka logjikë të ndërpritet seanca e të ikin deputetët kur kanë mbetur vetëm edhe pak më shumë se 24 orë nga afati kushtetues edhe për zgjidhjen e presidentit”, ka thënë Haradinaj.

Në fund, ai ka përsëritur qëndrimin e tij se vendi mund të shkojë drejt zgjedhjeve, duke thënë se këtë skenar e kishte paralajmëruar edhe më herët.

“Është e vërtetë dhe e kam paralajmëruar gjithnjë se Kurti dhe Vetëvendosje po e çojnë vendin në zgjedhje”, ka deklaruar Haradinaj./Telegrafi.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika