Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti i Përgjithshëm, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Prizrenit, për caktimin e masës së paraburgimit, ndaj të pandehurit F.B., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale: dhuna në familje, nga neni 248 par. 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Në njoftimin e bërë për media thuhet se “Gjyqtari i procedurës, Gani Kastrati, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaj, ashtu që kjo masë të pandehurit do ti llogaritet prej datës 26.01.2021 deri me datën 25.02.2021”.
“Gjykata me rastin e caktimit të paraburgimit ndaj të pandehurit F.B., ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së Paraburgimit, duke pasur parasysh peshën e veprës penale, mënyrat dhe rrethanat në të cilat janë kryer veprat penale, dhe nga provat e mbledhura deri në këtë fazë, rrjedh dyshimi i bazuar se: Me datë 25 janar, në shtëpinë familjare, i pandehuri F.B., në mënyrë të vazhdueshme i shkakton dhunë psikologjike dhe fizike të dëmtuarës – bashkëshortes së tij, në atë mënyrë që i pandehuri shkon i dehur në shtëpi, fillon ta fyej të dëmtuarën me fjalë ofenduese, dhe pastaj fillon duke e kanosur, “Unë jam egjeli yt, kam te ta nxjerr unë burgun ty”, e dëmtuara largohet nga shtëpia, pastaj kthehet pas 30 minutave, ku përsëri i pandehuri vazhdon me fyerje dhe fjalë ofenduese, aty ndërhyn djali i të pandehurit dhe e largon të pandehurin F.B., nga dhoma”, thuhet në njoftim.





