Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti i Përgjithshëm, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Prizrenit, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit A.B., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale, sulm seksual nga neni 184 par. 2 të KPRK-së, si dhe veprën penale të sulmit nga neni 184 par.2 të KPRK-së.
Gjyqtari i procedurës paraprake– Gani Kastrati, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaj, ashtu që kjo masë të pandehurit do ti llogaritet prej datës 22.11.2020 deri me datën 22.12.2020.
Gjyqtari i procedurës paraprake pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, ka vërtetuar se ekziston dyshimi i bazuar, se i pandehuri ka kryer veprat penale për të cilat dyshohet, dhe kjo rrjedh nga provat e mbledhura deri në këtë fazë.
Gjykata ka vlerësuar se janë përmbushur kushtet për caktimin e paraburgimit të përcaktuar me dispozitat e Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës, duke marrë parasysh peshën e veprës penale, dhe se hetimet janë në fazën fillestare, gjithashtu në vijim të procedurës duhet të dëgjohet i pandehuri, të dëmtuarit, po ashtu ende nuk janë identifikuar dhe marrë deklarimet e dëshmitarëve që kanë qenë prezent në momentin kritik.
Andaj në bazë të kësaj, Gjykata ka vlerësuar se caktimi i paraburgimit është i arsyeshëm sepse me qëndrimin në liri të të pandehurit, rrezikohet rrjedha normale e procedurës penale, duke ndikuar në dëshmitarë të cilët ende nuk janë dëgjuar, dhe në këtë çështje penale do të mblidhen edhe prova të tjera për zbardhjen e kësaj çështje penale.
Gjykata me rastin e caktimit të paraburgimit ndaj të pandehurit A.B., ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e kësaj mase, duke pasur parasysh peshën e veprave penale, mënyrat dhe rrethanat në të cilat janë kryer veprat penale për të cilat dyshohet i pandehuri, e sipas provave materiale të mbledhura deri në këtë fazë, nga të cilat rezulton se në ditën kritike me datë 22.11.2020 rreth orës 18:30 në Prizren, derisa e dëmtuara (1) me djalin e saj ishte duke mbledhur kanaqe, i pandehuri A.B., nën ndikimin e alkoolit i afrohet dhe e përqafon, kurse e dëmtuara e shtyn të pandehurin dhe fillon të bërtas për të kërkuar ndihmë, në të njëjtën kohë dhe vend i pandehuri dyshohet se përdor mjetin e rrezikshëm – thikën dhe e sulmon të dëmtuarin (2)– djalin e të dëmtuarës (1), duke e goditur në krah, me ç’rast i shqyen xhaketën por pa i shkaktuar lëndime.
Kurse a do të argumentohen këto fakte do të vlerësohet në fazat e mëtejme të procedurës penale.
Duke marrë parasysh karakteristikat personale të të pandehurit, i cili ka qenë nën ndikimin e alkoolit, peshën dhe natyrën e veprave penale, këto sjellje të të pandehurit e arsyetojnë dyshimin e bazuar se me qëndrimin e tij në liri, i njëjti mund të përsërisë veprat penale të natyrës së njëjtë, andaj është vlerësimi i Gjykatës se caktimi i paraburgimit në këtë fazë është i arsyeshëm dhe i bazuar në ligj, dhe se do të siguroi zhvillimin e papenguar të rrjedhës së procedurës hetimore dhe sigurimin e prezencës së të pandehurit.
Gjykata Themelore në Prizren ka vlerësuar edhe masa tjera për sigurinë e pranisë së të pandehurit në procedurë penale (arresti shtëpiak apo paraqitja në stacion policor apo masa tjera të parapara me Kodin e Procedurës Penale), mirëpo ka ardhur në përfundim se në rastin konkret caktimi i paraburgimit është i domosdoshëm dhe i arsyeshëm për sigurimin e të pandehurit në procedurën penale, dhe se masat tjera janë të pamjaftueshme për zhvillimin e rregullt të procedurës penale, duke pasur parasysh rrethanat e lartpërmendura, peshën e veprës penale, mënyrën dhe rrethanat e kryerjes së veprimeve, thuhet në komunikatën e Gjykatës Themelore në Prizren.