Shumica e popullatës kanë hequr dorë nga ngrohja me dru. Tashmë hapësirat e druve, që në dimrat e kaluar mbusheshin me klientë, janë të zbrazura. Drushitësit ankohen se bizneset e tyre janë drejt mbylljes.
Dimrat e butë e ngrohja me rrymë kanë çuar drejt krizës fushat e druve në Prizren. Sahit Bajrami nga Pirana thotë se ka 26 vjet që biznesin e tij e ushtron me shitjen e druve, por këtë vit ai thotë se ka arritur në pikën më të ulët të shitjes.
“Jemi para mbylljes si biznes, total jemi para mbylljes, do të thotë në të ardhmen, nëse vazhdon kësisoji, atëherë duhet me e mbyll. Këtë vit po e them 70% ka ra puna, plus problemin më të madh e kemi se as letrat nga ana e pylltarisë nuk janë lëshuar”, tha Sahit Bajrami, drushitës.
Sipas Sahit Bajramit, banorët që jetojnë në qytet, kanë më shumë interes të blejnë dru, sesa ato në fshatra.
“Në fshat janë bërë ma zotni, nëse i ka marrë përpara 10 metra, tash i merr 5, nëse i ka marr 5 tash i merr 2, do të thotë s’ka asgjë. Unë përpara kam pagua 50, 60 deri në 70 mijë euro TVSH shtetit, tash jam në bllokadë”, tha Sahit Bajrami, drushitës.
Në një tjetër biznes të këtij lloji, hallet janë pothuajse të njëjta. Daim Ukaj, që për dekada merret me blerjen dhe shitjen e druve, thotë se këtë vit veç 30% të druve ka arritur t`i shesë, ndërsa ky vit është i fundit me këtë biznes familjar.
