Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka publikuar përditësimin më të fundit mbi procesin e verifikimit dhe numërimit të votave që po zhvillohet në Qendrat Komunale të Numërimit (QKN) dhe në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR).
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka treguar se deri më tani (e premte, 12 qershor 2026, ora 09:00) procesi i verifikimit dhe numërimit ka përfunduar në 35 Qendra Komunale të Numërimit, ndërkaq, numri i përgjithshëm i vendvotimeve të procesuara dhe që i takojnë të gjitha QKN-ve (38) është 2,349 nga 2,498 vendvotime apo 94.04%.
Megjithatë, numërimi dhe verifikimi vazhdon ende në tri qendra komunale. Në Gjilan janë procesuar 112 nga 127 vendvotime, në Prizren 202 nga 232, ndërsa në Prishtinë 158 nga 262 vendvotime. Në total, në këto tri komuna kanë mbetur edhe 149 vendvotime për t’u procesuar.
Pas përfundimit të numërimit për secilin vendvotim, rezultatet po transmetohen në kohë reale në platformën e KQZ-së për publikimin e rezultateve.
KQZ ka bërë të ditur se gjatë katër ditëve të para pas zgjedhjeve, deri në pasditen e 11 qershorit, procesi i verifikimit dhe numërimit është përmbyllur në 35 komuna.
Në ditën e parë pas zgjedhjeve, më 8 qershor deri në orën 24:00, procesi u përfundua në pesë komunat e para: Junik (6 vendvotime), Shtërpcë (17), Hani i Elezit (11), Partesh (7) dhe Mamushë (5).
Deri më 9 qershor në orën 16:00, procesi ishte përmbyllur edhe në Zubin Potok (15), Zveçan (11), Kllokot, Novobërdë (23), Obiliq (34), Shtime (33), Ranillug (10) dhe Mitrovicë e Veriut (21), duke e çuar në 13 numrin e komunave që kishin përfunduar tërësisht numërimin dhe verifikimin.
Një ditë më pas, deri më 10 qershor në orën 16:00, procesi u mbyll edhe në Deçan (48), Dragash (57), Kamenicë (46), Graçanicë (33), Klinë (62), Viti (62), Kaçanik (44), Rahovec (75) dhe Leposaviq (25).
Po atë ditë, deri në orën 24:00, numërimi dhe verifikimi përfundoi edhe në Istog (60), Skenderaj (71), Malishevë (72), Drenas (73), Lipjan (83), Pejë (135) dhe Podujevë (103).
Ndërkohë, deri më 11 qershor në orën 16:00, procesi ishte përmbyllur edhe në Fushë Kosovë (62), Ferizaj (146), Suharekë (86), Vushtrri (89), Mitrovicë e Jugut (100) dhe Gjakovë (144).
Në total, deri në këtë fazë, verifikimi dhe numërimi i votave ishte përfunduar në 35 nga 38 Qendra Komunale të Numërimit në Kosovë.