Presidentja Vjosa Osmani do të presë në takim nesër, më 17.03.2025, përfaqësuesin e ri të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen.
Takimi, sipas Presidencës së Kosovës, do të nisë në ora 09:45.
“Në orën 09:45, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani pret në takim Përfaqësuesin e ri të BE-së për Dialog, Peter Sørensen”, thuhet në komunikatën e Presidencës.
Sorensen, i cili vjen për herë të parë në Kosovë në pozitën e re si emisar për dialogun Kosovë-Serbi, do të qëndrojë nga 17.03.2025 deri më 19.03.2025.
Lajmin për KALLXO.com e ka bërë të ditur një zëdhënëse e Bashkimit Europian.
Sorensen ka marrë detyrën më 01.02.2025.
Para së të emërohet Peter Sorensen, emisar për dialogun Kosovë- Serbi ishte Miroslav Lajçak.
Në anën tjetër, Sorensen nga Danimarka ka përvojë të gjatë diplomatike në strukturat e BE-së. Ai ka qenë edhe këshilltar i lartë në Shërbimin e Veprimit të jashtëm të BE-së (EEAS) për diplomaci digjitale.
Gjatë karrierës së tij diplomatike në BE, Sorensen ka ushtruar disa detyra në Ballkanin Perëndimor. Ka shërbyer si përfaqësues i posaçëm i BE-së për Bosnje e Hercegovinë dhe shef i zyrës së BE-së në Sarajevë. Po ashtu ka qenë edhe shef i delegacionit të bllokut europian në Shkup.
Më herët, Sorensen ka punuar si këshilltar edhe në Kosovë në misionin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), ndërsa ka qenë edhe përfaqësues i posaçëm i përfaqësuesit të lartë të BE-së në Serbi. Në Ballkan, ai ka punuar edhe në misionin e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë (OSBE) në Kroaci.