LAJME

Apetit reagon për mishin e ndaluar në Tivar: Nuk ka hyrë në tregun e Kosovës

Apetit reagon për mishin e ndaluar në Tivar: Nuk ka hyrë në tregun e Kosovës
TV Prizreni
TV Prizreni
25 Shtator 2026, 20:00

Kompania “Apetit SH.P.K.” ka reaguar lidhur me ndalimin në Portin e Tivarit të një kontejneri me mish viçi të ngrirë, duke sqaruar se ngarkesa nuk ka hyrë në procedurë importi dhe nuk është vendosur në tregun e Kosovës.

 

Autoritetet e Malit të Zi njoftuan të enjten se në kontejnerin e destinuar për kompaninë kosovare “Apetiti SHPK” ishin 1 mijë e 321 paketime me mish viçi të ngrirë, me peshë bruto prej 24 mijë e 650 kilogramësh. Gjatë kontrollit ishte konstatuar se afati i përdorimit kishte skaduar më 14 maj 2026.

Për këtë rast, sipas autoriteteve malazeze, ishin njoftuar inspektori veterinar dhe Drejtoria e Policisë, të cilët janë përfshirë në procedurat e mëtejshme.

Në reagimin e saj, “Apetit SH.P.K.” ka sqaruar se bëhet fjalë për ngarkesa me mish gjedhi të freskët nga Brazili, të prodhuara në shkurt të vitit 2026, me afat të deklaruar prej 120 ditësh nga data e prodhimit.

Kompania thotë se ngarkesat ishin planifikuar të mbërrinin në destinacion brenda 45 deri në 50 ditësh, por për shkak të problemeve të krijuara në transportin detar ndërkombëtar, përfshirë ngarkesat dhe vonesat në portet e tranzitit, transporti nuk është realizuar sipas afatit fillestar.

Sipas “Apetit”, pas mbërritjes në Portin e Barit, në Mal të Zi, ngarkesat janë vendosur dhe kanë qëndruar në magazina doganore shtetërore malazeze, nën mbikëqyrjen e autoriteteve kompetente, ndërsa kompania ka pritur për përfundimin e procedurave për ri-eksport.

Kompania thekson se asnjëra prej këtyre ngarkesave nuk ka hyrë në procedurë importi në Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni të Veriut, Shqipëri apo Bosnje dhe Hercegovinë, ndërsa asnjë kilogram i këtij malli, sipas saj, nuk është importuar, zhdoganuar apo vendosur në treg në këto vende.

“Apetit” thotë gjithashtu se malli ka qëndruar në magazinat doganore në Mal të Zi, nën mbikëqyrjen dhe kontrollin e autoriteteve kompetente, në pritje të procedurave të ri-eksportit.

Kompania ka siguruar konsumatorët dhe partnerët se këto ngarkesa nuk kanë hyrë në tregjet ku operon dhe nuk janë shitur apo shpërndarë te konsumatorët.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika