Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka takuar të shtunën komandantin e KFOR-it, gjeneral major Angelo Michele Ristuccia dhe shefin e EULEX-it, gjeneral major Giovanni Pietro Barbano. Siç ka bërë të ditur Presidenca në një komunikatë për media, në takim u diskutua lidhur me zhvillimet e fundit lidhur me sigurinë në Kosovë dhe me theks të veçantë në veri dhe në vijën kufitare me Serbinë.
Osmani ka falënderuar dy zyrtarët e lartë ndërkombëtarë dhe ka thënë se e ka mirëpritur vendimin e NATO-s për të shtuar numrin e forcave në kuadër të KFOR-it “si sinjal i qartë ndaj Serbisë që të heq dorë nga destabilizimi dhe rrezikimi i sigurisë në Kosovë”.
“Kosova mbetet e palëkundur në përkushtimin e saj që sfidat aktuale të sigurisë t`i tejkalojë me partnerët dhe aleatët ndërkombëtarë”, ka thënë Osmani.
Më herët gjatë ditës, Osmani pati takime edhe me përfaqësues të Forcës së Sigurisë dhe të Policisë së Kosovës.
Situata në veri të Kosovës mbetet e tensionuar që kur më 24 shtator, polici Afrim Bunjaku u vra në Banjskë të Zveçanit nga një grup i armatosur serb. Në një aksion pasues, nga përplasja e Policisë me grupin e armatosur mbetën të vrarë tre sulmues. Për rastin u arrestuan tetë persona, katër prej të cilëve u liruan. Të premten, përgjegjësinë për sulmin e mori Milan Radoiçiq, nënkryetar i deritashëm i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë. Në aksion është kapur arsenal armësh.
Serbia pati dislokuar ushtrinë përgjatë kufirit me Kosovën dhe menjëherë ka nxitur reagimet e ndërkombëtarëve që i kanë kërkuar largimin. Të shtunën janë vënë re lëvizje tërheqëse, por ende s’ka zyrtarizim.
NATO-ja ka shtuar forcat në veri.
FSK-ja si forcë e sigurisë nuk mund të futet në veri të vendit pa koordinim me NATO-n, bazuar në një zotim të ish-kryeministrit Hashim Thaçi. Të shtunën, këtë zotim, kryeministri aktual, Albin Kurti, e ka kualifikuar si gjë që ka lënë vakum në veri të Kosovës./KOHA/