Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka deklaruar se vendosja e bllokadave nëpër pikë-kalimet kufitare nga ana e Serbisë është bërë me qëllim që të krijohet tension dhe të destabilizohet paqja dhe siguria në Kosovë e rajon.
Ajo tha se në kundërshtim me të gjitha marrëveshjet e Brukselit, Serbia po vazhdon të shfrytëzojë banda kriminale për të kryer sulme të vazhdueshme ndaj Kosovës dhe ndaj lëvizjes së lirë.
Osmani u bëri thirrje aleatëve që të dalin me qëndrim publik lidhur me këto shkelje të vazhdueshme nga ana e Serbisë siç thotë ajo, të cilat po shkelin të drejtat e qytetarëve.
“Në kundërshtim me të gjitha marrëveshjes e Brukselit të cilat janë arritur në këto 12 vite, Serbia edhe njëherë tregon se nuk i intereson lëvizja e lirë, fqinjësia e mirë, përkundrazi ajo po vazhdon të shfrytëzojë banda kriminale për të kryer sulme të vazhdueshme ndaj Kosovës dhe ndaj lëvizjes së lirë. Këto bllokada të cilat janë krijuar kohëve të fundit, të cilat në mënyrë të veçantë kanë për qëllim të terrorizojnë qytetarët shqiptarë donin t’i shfrytëzonin këto pika kufitare kanë vetëm një qëllim, të krijojnë tensione, të destabilizojnë Kosovën dhe gjithë rajonin tonë. Por, në të njëjtën kohë e tregojnë lidhmërinë e drejtpërdrejt ndërmjet shtetit serb dhe bandave kriminale që i kanë organizuar këto bllokada.…I bëj thirrje aleatëve tanë që të dalin me qëndrim publik lidhur me këto shkelje të vazhdueshme nga ana e Serbisë, të cilat po shkelin të drejtat e qytetarëve tanë dhe kanë tendencë ta destabilizojnë paqen dhe sigurinë jo vetëm në Kosovë por në tërë rajonin tonë”, tha Osmani.
Ndër të tjera, e para e vendit, Vjosa Osmani tha se janë ndërmarrë të gjitha masat e sigurisë që mos të lejohet krijimi i tensioneve brenda territori të Republikës së Kosovës.
“Reagimi institucional i Kosovës siç e dini veçse po ndodhë. Ka një kohë të gjatë që ne kemi mbledhur prova lidhur me këtë. Është bërë thirrje publike qe qytetaret mos të shfrytëzojnë ato pika kufitare. Janë ndërmarrë të gjitha masat e sigurisë që mos të lejohet që ky destabilizim të krijojë tensione brenda territorit të Republikës së Kosovës dhe jemi në kontakt të vazhdueshëm me aleatët tanë”, potencoi Osmani.
Këtë deklarim Osmani e bëri pas zbulimit te shtatores së ish-presidentit Ibrahim Rugova në Podujevë.
Pika kufitare në Merdarë dhe Bërnjak po vazhdojnë të jenë e mbyllura, ndërkaq në Jarinje është raportuar se ka qarkullim të veturave.
Pas mbylljes së pesë zyrave të strukturave paralele në veri nga Policia e Kosovës me dyshimet për falsifikim me dokumente, Këshilli për Bllokada i Serbisë paralajmëroi bllokim të pikë-kalimeve kufitare.