LAJME

Presidentja Osmani bisedë telefonike me zyrtarin e lartë amerikan: U përqendrova në rëndësinë e ruajtjes së aleancës Kosovë-SHBA

Presidentja Osmani bisedë telefonike me zyrtarin e lartë amerikan: U përqendrova në rëndësinë e ruajtjes së aleancës Kosovë-SHBA
TV Prizreni
TV Prizreni
17 Shtator 2025, 19:30

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka njoftuar se ka biseduar përmes telefonit me Brendan Hanrahan, zyrtarin e lartë të Byrosë për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike në Departamentin amerikan të Shtetit.

Presidentja Osmani tha se gjatë kësaj bisede telefonike u përqendrua në rëndësinë e ruajtjes së aleancës mes Kosovës dhe SHBA-së dhe sigurimit të koordinimit të ngushtë me të.

“Aleanca e fortë me SHBA-në ka qenë gjithmonë në dobi të popullit tonë, sigurisë kombëtare, stabilitetit rajonal dhe integrimit euroatlantik”- ka shkruar Osmani në rrjetin social ‘X’.

Ajo theksoi se si presidente e Kosovës do të angazhohet me administratën e presidentit Donald Trump siç tha ajo “për të ruajtur dhe mbrojtur aleancën tonë bazuar në besim dhe bashkëpunim të ndërsjellë”.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë pezulluar Dialogun Strategjik të planifikuar me Kosovën.

Ky zhvillim solli reagime dhe diskutime mbi ndikimin e mundshëm që një vendim i tillë mund të ketë në marrëdhëniet mes Kosovës dhe partnerit të saj kryesor ndërkombëtar.

Ambasada e SHBA-së përmes një deklarate të dërguar për media ka thënë se këtë vendim e ka marrë “për shkak të shqetësimeve në lidhje me veprimet e qeverisë në detyrë, të cilat kanë rritur tensionet dhe paqëndrueshmërinë, duke kufizuar aftësinë e Shteteve të Bashkuara për të punuar në mënyrë produktive me Kosovën mbi prioritetet e përbashkëta.”

Sipas këtij njoftimi, Dialogu Strategjik kishte për qëllim forcimin e lidhjeve ekonomike dhe diplomatike në dobi të popullit amerikan dhe atij të Kosovës.

Ky Dialog ishte paralajmëruar që do të ndodhte, mirëpo ende nuk është finalizuar.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika