Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani do të zhvillojë takim në Prishtinë me homologun e saj nga Hungaria, Tamás Sulyok.
Takimi do të zhvillohet në orën 16:00, njofton Presidenca.
Mirëpo, sipas njoftimit të këtij institucioni, nuk do të ketë konferencë për media.
Mediat do të kenë mundësinë të marrin pamje vetëm nga pritja dhe në fillim të takimit.
Në qershor, Osmani kishte qëndruar në Budapest për disa ditë me ftesë të Sulyok.
Gjatë qëndrimit të saj atje, në një vizitë në ambientet e bibliotekës “Ervin Szabó” në Budapest, u inagurua një pjesë e kësaj biblioteke me emrin e ish-Presidentit Ibrahim Rugova.
Osmani ishte pritur me nderime ushtarake në Hungari. Poashtu, ishte takuar me kryetarin e Parlamentit të Hungarisë, László Kövér.
Hungaria është një nga vendet e para që ka njohur Pavarësinë e Kosovës.
Ambasada e Kosovës në Budapest zyrtarisht ka filluar punën në mars të vitit 2010.
Edhe pse Hungaria ka njohur Kosovën si shtet, kryeministri i tanishëm Viktor Orban mban raporte të mira me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq.
Përfaqësues të Hungarisë kishin mbajtur qëndrim kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Europës gjatë vitit të kaluar.
Zsolt Nemeth nga Hungaria si përfaqësues i Partisë Europiane Konservatore, tha se është kundër raportit që u prezantua më 16 prill 2024, nga raportuesja për Kosovë, Dora Bakoyannis i cili ishte në favor të anëtarësimit të Kosovë në Këshillin e Europës.
“Janë tri arsye pse nuk e mbështesim raportin. E para, Kosova nuk ka përmbushur zotimet, Asociacioni. E dyta është Serbia. Mohimi i interesave të Serbisë rrezikon stabilitetin” – kishte thënë ai.
Nemeth kishte deklaruar se arsyeja e tretë është se Këshilli i Europës shkon kundër parimeve për stabilitet nëse e pranon Kosovën pjesë të saj./KALLXO.com
