LAJME

Kryeministri Kurti bëri homazhe te varrezat e vëllezërve Bytyqi në New York

Kryeministri Kurti bëri homazhe te varrezat e vëllezërve Bytyqi në New York
TV Prizreni
TV Prizreni
21 Shtator 2026, 07:51

Gjatë qëndrimit në New York, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me delegacionin, familjen Bytyqi, kryebashkiaken e Fairview City, Violetta Berisha, përfaqësues të Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane dhe pjesëtarë të komunitetit shqiptaro-amerikan, bëri homazhe dhe vendosi lule të freskëta te varrezat e tre vëllezërve Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyqi, të vrarë nga aparati shtetëror serb më 1999.

“Ylli, Agroni dhe Mehmeti janë tre dëshmorë të kombit, janë tre shqiptarë, janë tre amerikanë, janë tre luftëtarë të lirisë, të cilët sakrifikuan gjithçka për lirinë që ne e gëzojmë dhe për shtetin që ne e kemi”, tha kryeministri Kurti.

Kurti theksoi se 27 vjet pas, përkundër që dihet e vërteta, ende mungon drejtësia për vrasjen mizore të tre vëllezërve Bytyqi, luftëtarëve të Batalionit Atlantiku.

Ilir Bytyqi, vëllai i Yllit, Agronit dhe Mehmetit falënderoi kryeministrin për vizitën dhe homazhet, duke thënë se prania e tij është tejet domethënëse për familjen.

“Faleminderit që i nderoni ata me praninë tuaj duke treguar se edhe pas shumë vitesh jeta dhe sakrifica e tyre vlen. Zoti ju bekoftë të gjithëve”, tha Bytyqi.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika