Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka njoftuar se Policia Ushtarake e Forcës së Sigurisë së Kosovës, së fundmi ka ngritur kapacitetet operacionale përmes bashkëpunimit me Policinë Ushtarake të Kroacisë.
Në një postim në Facebook, ai bëri të ditur se gjatë javës së kaluar, Forca e Sigurisë së Kosovës ka vazhduar avancimin e kapaciteteve profesionale dhe operacionale të Policisë Ushtarake, përmes trajnimeve të specializuara dhe bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë.
Sipas Maqedoncit, në bashkëpunim me instruktorë nga Policia Ushtarake Kroate, është realizuar për herë të parë Kursi për Intervenime dhe Kontrollim të Turmave, duke integruar modulet e specializuara për intervenime të shpejta, kontroll të turmave dhe luftime në hapësira të mbyllura (CQB).
“Gjatë këtij trajnimi intensiv, pjesëtarët e Policisë Ushtarake kanë zhvilluar aftësi të avancuara taktike dhe operacionale, duke dëshmuar profesionalizëm, disiplinë dhe gatishmëri të lartë. Ky trajnim është një tjetër dëshmi e transformimit të vazhdueshëm të Policisë Ushtarake në një njësi moderne dhe të përgatitur për t’u përballur me sfidat bashkëkohore të sigurisë” – shkruan tutje ai.