LAJME

Policia holandeze për protestat në Hagë: Dy të arrestuar dhe një polic i lënduar

Policia holandeze për protestat në Hagë: Dy të arrestuar dhe një polic i lënduar
TV Prizreni
TV Prizreni
16 Shtator 2026, 15:46

Dy protestues janë arrestuar, ndërsa një zyrtar policor është lënduar lehtë gjatë protestës së mbajtur të mërkurën në Hagë, ku një pjesë e demonstruesve tentoi të afrohej drejt selisë së Dhomave të Specializuara të Kosovës.

Sipas Policisë holandeze, protesta u zhvillua në Malieveld dhe ishte e autorizuar nga autoritetet lokale.

Pas përfundimit të protestës, rreth orës 12:00, një pjesë e protestuesve u nisën drejt Raamwegut, ku ndodhen Dhomat e Specializuara të Kosovës, edhe pse një lëvizje e tillë nuk ishte lejuar.

Për të penguar kalimin e protestuesve drejt Raamwegut, Njësia Mobile e Policisë formoi një kordon. Situata u tensionua pasi një grup protestuesish u përball me policinë.

Policia ndërhyri për shpërndarjen e protestuesve, duke përdorur për një kohë të shkurtër topin e ujit dhe sprejin. Sipas autoriteteve holandeze, situata u qetësua shpejt pas ndërhyrjes.

Policia ka bërë të ditur se gjatë përplasjes disa protestues përdorën dhunë ndaj zyrtarëve dhe pajisjeve policore. Si pasojë, një zyrtar policor pësoi lëndime të lehta.

Dy persona u arrestuan nën dyshimin për vandalizëm, ka njoftuar Policia holandeze.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika