LAJME

Haziz Hodaj ngushëllon familjen e 22-vjeçarit që humbi jetën në aksidentin në Gjonaj

Haziz Hodaj ngushëllon familjen e 22-vjeçarit që humbi jetën në aksidentin në Gjonaj
TV Prizreni
TV Prizreni
7 Nëntor 2026, 08:56

Anëtari i Kuvendit të Komunës së Prizrenit dhe njëherësh kryetari i SHKA-së “Malësori”, Haziz Hodaj, ka shprehur ngushëllime për familjen e Gent Hodajt, 22-vjeçarit që humbi jetën pasditen e së premtes në një aksident me motoçikletë me katër rrota (ATV), në fshatin Gjonaj të Prizrenit.

Përmes një reagimi, Hodaj ka shprehur dhimbjen për këtë humbje, duke theksuar se brenda një jave dy të rinj kanë humbur jetën tragjikisht në Gjonaj, në aksidente me motoçikleta.

“Brenda një jave, dy jetë të të rinjve u shuan tragjikisht në Gjonaj, si pasojë e aksidenteve me motoçikleta. Dy familje u goditën nga dhimbja më e madhe që mund të përjetojë një prind: humbjen e më të dashurve të tyre.

Të tronditur thellë, ndajmë këtë dhembje të madhe dhe qëndrojmë pranë familjeve në këto çaste të rënda. Lutemi që shpirti i Gentit të prehet në parajsë!”, ka shkruar Hodaj.

Sipas raportit të Policisë së Kosovës, aksidenti ka ndodhur më 6 nëntor, rreth orës 15:00, kur viktima, duke drejtuar një mjet ATV, dyshohet se ka humbur kontrollin dhe ka rënë nga një lartësi.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore dhe ekipi i Emergjencës, i cili pas ekzaminimit mjekësor ka konstatuar vdekjen e 22-vjeçarit.

 

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika