LAJME

Luljeta Veselaj-Gutaj kritikon udhëzimin e MASh-it: Po i frikëson mësimdhënësit

Luljeta Veselaj-Gutaj kritikon udhëzimin e MASh-it: Po i frikëson mësimdhënësit
TV Prizreni
TV Prizreni
7 Nëntor 2026, 11:25

Drejtoresha e Drejtorisë Komunale të Arsimit në Prizren, Luljeta Veselaj-Gutaj, ka kritikuar Udhëzimin Administrativ 02/2026 të Ministrisë së Arsimit, i cili rregullon inicimin e procedurave disiplinore ndaj personelit të punësuar në institucionet edukativo-arsimore dhe aftësuese.

Në reagimin e saj, Veselaj-Gutaj e cilëson udhëzimin si të paligjshëm, duke pretenduar se baza juridike e tij është përcaktuar gabimisht dhe se përmban dispozita që u mundësojnë inspektorëve të arsimit të ndërmarrin masa disiplinore ndaj mësimdhënësve, deri në shkarkim, mbi kritere që ajo i konsideron subjektive.

Sipas saj, udhëzimi parasheh masa disiplinore për çështje si mosbashkëpunimi, paaftësia psikike, vlerësimi i kundërligjshëm i nxënësve, shmangia nga plani i punës dhe refuzimi i pjesëmarrjes në trajnime.

Drejtoresha vlerëson se këto formulime krijojnë hapësirë për interpretime subjektive dhe mundësi për penalizime të padrejta ndaj mësimdhënësve.

Ajo kërkon që zbatimi i këtij udhëzimi të ndalet, duke theksuar se një politikë e tillë mund të krijojë pasiguri në sektorin e arsimit dhe të ndikojë negativisht në punën e mësimdhënësve, të cilët, sipas saj, tashmë përballen me një mori aktesh ligjore kundërthënëse.

“Ky nuk është dokument rregullues, është mënyrë që t’i frikësojë mësimdhënësit”, ka deklaruar Veselaj-Gutaj në reagimin e saj.

Ajo ka kritikuar gjithashtu mënyrën e hartimit të politikave arsimore nga institucionet qendrore, duke theksuar se testimi dhe eksperimentimi me mënyrat e funksionimit të organizatave mund të bëhen në sektorin privat, por jo nga shteti, e aq më pak nga ministria përgjegjëse për arsimin.

Sipas saj, institucionet shtetërore duhet të hartojnë politika të qëndrueshme dhe të bazuara në ekspertizë profesionale, në vend të improvizimeve.

Në fund të reagimit, Veselaj-Gutaj i bën thirrje Ministrisë së Arsimit që hartimin e akteve rregullative t’ua besojë profesionistëve, duke kritikuar qeverisjen për, siç shprehet ajo, eksperimentimin e vazhdueshëm me shtetin.

Udhëzimi mund ta lexoni KËTU.

 

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika