Policia gjen armë në tri lokacione të ndryshme në veri

LAJMEMë pak se 2 min. për lexim
TV Prizreni
Botuar nga: TV Prizreni|1 orë
Policia gjen armë në tri lokacione të ndryshme në veri

Policia e Kosovës ka gjetur dhe sekuestruar armë zjarri, municion e granata dore në tri lokacione të ndryshme në veri të Kosovës të martën.

Në një shtëpi të pabanuar në fshatin Jagnjenic të Zubin-Potokut rreth orës 1:20, policia ka gjetur dhe sekuestruar 95 fishekë të kalibrave të ndryshme, një emblemë e disa spaleta të Policisë së Serbisë.

E rreth orës 9:20 në një shtëpi të pabanuar në fshatin Zhitkovc të Komunës së Zveçanit, ka gjetur dhe sekuestruar një armë AK-47, një granatë dore M-57, prodhim jugosllav, tre karikatorë të zbrazët të AK-47, 85 fishekë të kalibrit 7.9 mm, 2 uniforma ushtarake me emblema të Serbisë, 60 fishekë të armës AK-47.

E rreth orës 12:20 në një shtëpi të pabanuar në Varagë të Zubin-Potokut janë gjetur e sekuestruar një granatë dore dhe 50 fishekë të kalibrit 7.62 mm.

“Në vendin e ngjarjes, në rastin II dhe III, kanë dalë edhe njësitë për trajtimin e mjeteve eksplozive (EOD), të cilat kanë tërhequr mjetet eksplozive në mënyrë të kontrolluar. Të gjitha veprimet policore janë ndërmarrë në koordinim të plotë me Prokurorin e Shtetit, i cili ka udhëzuar inicimin e rasteve për veprën penale: “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”. Lidhur me këto raste, nuk ka persona të arrestuar. Policia e Kosovës falënderon qytetarët për bashkëpunimin dhe i fton ata që të vazhdojnë të ndajnë informacione që ndihmojnë policinë në ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike. Çdo informacion mund të raportohet në numrin 192”, ka njoftuar Policia e Kosovës.
Policia ditëve të fundit ka raportuar për disa raste ku ka gjetur e sekuestruar armë në veri të Kosovës.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika