Drejtoria Rajonale e Policisë në Mitrovicë të Veriut, më 22.06.2026, ka njoftuar se janë gjetur armë, municion dhe mjete tjera ilegale në tri lokacione në Zubin Potok.
Operacioni ka ndodhur më 21.06.2026, ku policia ka kryer dy kontrolle në fshatin Presek dhe një në Qeçevë,
Policia njofton se nuk ka të arrestuar deri në këtë fazë, ndërsa bën të ditur se të gjitha veprimet policore janë ndërmarrë në koordinim të plotë me Prokurorin e Shtetit i cili ka udhëzuar inicimin e rasteve për veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve“.
Për rastin e parë në Presekë bëhet e ditur se mjetet ilegale janë gjendur në një shtallë për ushqimin e bagëtive, me ç’rast janë konfiskuar 1 pushkë M48, 5 karikatorë të armës së gjatë të kalibrit 7.62 mm, 151 fishekë të kalibrit 7.62 mm, pjesë të uniformës e kamufluar dhe bateri ndriçuese.
Në po të njëjtin fshat janë gjetur mjete ilegale në një shtallë për ushqimin e bagëtive dhe janë konfiskuar 1 pushkë M48, 74 fishekë të së njëjtës armë, 254 fishekë të armës së gjatë të kalibrit 7.62 mm.
Ndërsa rreth orës 19:00, në Qeçevë në një objekt të pabanuar, pas pranimit të informacionit se në atë lokacion mund të gjendeshin armë dhe mjete tjera ilegale, gjatë kontrollit janë gjetur dhe janë konfiskuar 1 pushkë M48 me bajonetë, 11 fishekë të së njëjtës armë, 33 fishekë të armës së gjatë të kalibrit 7.62 mm, dy makina (mjete pune) për mbushjen e fishekëve të armëve të gjuetisë, rreth 200 gramë barut rreth 2 kilogramë sfera (thërrmija metalike) për mbushjen e fishekëve të armëve.
Policia e Kosovës falënderon qytetarët për bashkëpunimin dhe i fton ata që të vazhdojnë të ndajnë informacione që ndihmojnë në ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike.