Tetë persona janë arrestuar brenda dy javësh për cenim të përcaktimit të lirë të votuesve dhe ryshfet në lidhje me votimin.
Sipas Policisë së Kosovës, në javët e fundit janë trajtuar informacione të shumta për dyshime për ndërhyrje të jashtme në zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit.
“Gjatë javëve të fundit, institucionet e zbatimit të ligjit kanë pranuar dhe trajtuar informacione të shumta që ndërlidhen me dyshime për ndërhyrje të jashtme dhe aktivitete të kundërligjshme me qëllim të ndikimit në vullnetin e lirë të qytetarëve gjatë procesit zgjedhor. Ndërhyrjet e jashtme në zgjedhje, paraqesin kërcënim serioz për demokracinë, pavarësinë dhe vullnetin e lirë të qytetarëve”, thuhet në komunikatën e përbashkët të Policisë dhe Kryeprokurorit të Shtetit.
Si rezultat i veprimeve hetimore dhe operacionale, më 19 maj janë arrestuar shtatë persona të dyshuar për veprat penale që ndërlidhen me cenimin e përcaktimit të lirë të votuesve dhe ushtrimin e presionit politik në komunën e Graçanicës. Po ashtu, më 4 qershor, në të njëjtën komunë, është arrestuar edhe një person tjetër nën dyshimin për marrje dhe dhënie të ryshfetit në lidhje me votimin.
“Këto veprime dëshmojnë përpjekjet aktive për ndërhyrje në zgjedhje si dhe vendosmërinë e institucioneve të Republikës së Kosovës për të mbrojtur integritetin e procesit zgjedhor dhe për të luftuar çdo përpjekje për të ndikuar në mënyrë të kundërligjshme në vullnetin e lirë të votuesve. Institucionet relevante janë duke vazhduar trajtimin e informacioneve të tjera, si dhe monitorimin e afërt të çdo aktiviteti që mund të cenojë integritetin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 7 qershorit 2026”, thuhet tutje në njoftim.