Në margjinat e Javës së Nivelit të Lartë të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar me homologun e tij kroat, Andrej Plenkoviq.
Sipas Kurtit, në takim është diskutuar për marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Kroacisë, zhvillimet rajonale, bashkëpunimin në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, si dhe procesin e integrimit të Kosovës në strukturat evropiane dhe euroatlantike.
Një nga çështjet e ngritura gjatë takimit ishte edhe rasti i Bajram Bajramit.
Kurti ka mirëpritur bashkëpunimin ndërmjet Ministrive të Drejtësisë të të dyja vendeve, duke theksuar se Bajrami, i cili ishte ndaluar, është liruar.
Në takim është diskutuar edhe për aktgjykimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës.
Kurti ka thënë se ka theksuar atë që e cilëson si “asimetrinë e padrejtë të përgjegjësisë për luftën”.
Temë e diskutimit kanë qenë edhe personat e pagjetur dhe varrezat masive të zbuluara së fundmi në Kosovë.
Kurti ka ngritur gjithashtu çështjen e arkivave të Serbisë, duke thënë se mos-hapja e tyre vazhdon të krijojë vështirësi në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur.
Një tjetër çështje e diskutuar ka qenë situata e shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
Sipas Kurtit, me homologun kroat është diskutuar edhe për atë që ai e përshkroi si diskriminim të vazhdueshëm administrativ ndaj shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc.
Në fokus të takimit ishte edhe bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes dhe atë ushtarake.
Kurti ka vlerësuar mbështetjen e Kroacisë për Kosovën në rrugën drejt Bashkimit Evropian, Këshillit të Evropës dhe integrimit euroatlantik.
Të dy kryeministrat kanë shkëmbyer gjithashtu pikëpamje për sfidat e sigurisë në rajon, ndikimin e Rusisë dhe nevojën për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet vendeve dhe partnerëve në rajon.





