Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka njoftuar lirimin e menjëhershëm nga detyra të drejtores së Shërbimit Informativ të Shtetit (SHISH), Vlora Hyseni, pas masës së sigurisë “arrest në shtëpi” të caktuar ndaj saj nga organet e drejtësisë. Rama, përmes një reagimi nga Nju Jorku, ku ndodhet për Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, tha se çdo dyshim i ngritur nga organi i akuzës duhet të hetohet dhe të zbardhet përmes një procesi të pavarur gjyqësor.
Ndryshe, Vlora Hyseni ishte zëvendësdrejtoreshë e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), para se të shkarkohej nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe Kryeministri Albin Kurti më 30 qershor 2021. Vendimi u mor në mbështetje të Ligjit për Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë, ndërsa në njoftimin zyrtar nuk u bë e ditur arsyeja e shkarkimit. Hyseni ishte emëruar në pozitën e zëvendësdrejtoreshës së AKI-së në shkurt të vitit 2019.
Pas largimit nga AKI-ja, Hyseni u angazhua në Shqipëri si këshilltare për çështjet e sigurisë pranë kryeministrit Edi Rama. Në vitin 2023, Rama e propozoi për drejtimin e SHISH-it, ndërsa Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, e dekretoi më 3 prill 2023.





