Në media të dielën u raportua se Policia e Kosovës në Qendrën Tregtare “Galeria” në Prizren, arrestoj shumë të kërkuarin, Indrit Taullai nga grupi “Banda e Durrësit”.
Bashkë me të u arrestuan edhe dy persona të tjerë, njëra ishte e dashura e tij, transmeton Indeksonline.
Policia e Shtetit të Shqipërisë përmes një postimi ka falënderuar Policinë në Prizren që ka arrestuar Taullain, duke ndihmuar kështu në operacionin policor “Asgjë nuk harrohet”.
Policia e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës kanë filluar e ekstradimit të Indrit Taullait.
Postimi i plotë:
Policia e Shtetit
Finalizohet operacioni policor i koduar “Asgjë nuk harrohet”.
Operacioni nga Drejtoria Hetimore Qendrore në Departamentin e Policisë Kriminale, Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, Forcat Speciale Renea, Drejtoritë Vendore të Policisë Tiranë, Durrës e Vlorë, Drejtoria e Kufirit dhe Migracionit Kukës dhe Interpol Tirana, nën drejtimin e SPAK-ut.
Zbardhen dhe dokumentohen dy vrasje të ndodhura në vitin 2005.
Ekzekutohen 4 masa sigurie “Arrest në burg”, si dhe një urdhër ndalimi i lëshuar nga SPAK
Shpallen në kërkim ndërkombëtar dhe dy autorë të tjerë të cilët nuk u kapën gjatë operacionit.
Gjatë operacionit policor të koduar “Asgjë nuk harrohet”, strukturat e Policisë së Shtetit, nën drejtimin e SPAK-ut, kanë kapur dhe vënë në pranga shtetasit V. Y. dhe I. R.
Njëkohësisht, falë bashkëpunimit të shkëlqyer mes Policisë së Shtetit dhe Policisë së Republikës së Kosovës u bë e mundur që të kapej në qytetin e Prizrenit, shtetasi I. T. Për këtë shtetas kanë filluar procedurat e ekstradimit nga Republika e Kosovës.
Gjithashtu, po nga strukturat e Policisë së Shtetit është bërë ekzekutimi i masës së sigurimit “Arrest në burg”, caktuar ndaj të hetuarit E.Sh dhe L.R (aktualisht në burg për një vepër tjetër penale).
Si dhe janë shpallur në kërkim ndërkombëtar shtetasit L. B. dhe P. D., për të cilët vijon puna intensive për lokalizmin dhe kapjen e tyre.
Për këta shtetas, pas provave të grumbulluara nga hetimet e kryera, Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka caktuar masat e sigurimit “Arrest në burg”, konkretisht:
L. B., P. D., I. T. dhe L. R., të dyshuar për veprat penale “Vrasja me paramendim” kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, në dëm të shtetasit Kleidi (Klodjan) Saliu, “Mbajtja pa leje e armëve luftarake me pasoja të rënda”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, kundër dy ose më shumë personave, kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, në dëm të shtetasve V. Lamaj dhe A. Arsi.
Gjithashtu, po me këtë vendim, Gjykata ka caktuar masën e sigurimit “Arrest në burg”, ndaj shtetasve E. Shullazi dhe V. Y për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, kundër dy ose me shumë personave, kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, në dëm të shtetasve V. Lamaj dhe A. Arsi.
Po nga strukturat e Policisë së Shtetit është bërë kapja dhe ndalimi edhe i shtetasit I. R.
Policia e Shtetit falënderon autoritetet e Policisë së Kosovës për gadishmërinë dhe bashkëpunimin e shkëlqyer të treguar në kapjen dhe prangosjen e të kërkuarit I. T.
Njëkohësisht, Policia e Shtetit falënderon partnerët dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese ndërkombëtare për mbështetjen, bashkëpunimin dhe gadishmërinë e treguar për të lokalizuar dhe kapur personat e tjerë të përfshirë në këtë grup të strukturuar kriminal.
Policia e Shtetit është e vendosur dhe vijon punën intensive për zbardhjen e të gjitha ngjarjeve kriminale të ndodhura më parë dhe në këtë kuadër fton qytetarët që mund të kenë dijeni në lidhje me ngjarjet kriminale, të bashkëpunojnë me Policinë, duke dërguar në Komisariatin Dixhital dhe në numrin pa pagesë 112, çdo informacion të mundshëm sado të vlefshëm që do të shërbejë për zbardhjen e ngjarjeve kriminale, duke garantuar anonimat të plotë dhe reagim të menjëhershëm e të paanshëm.