LAJME

Policia demanton raportimet: S’kemi dërguar Njësi Speciale në veri

Policia demanton raportimet: S’kemi dërguar Njësi Speciale në veri
TV Prizreni
TV Prizreni
5 Nëntor 2022, 15:08

Policia e Kosovës, ka reaguar pas zhvillimeve të fundit aktuale në vend, duke thënë se, PK-ja ka planifikimet e saj operacionale për ruajtjen e rendit Kushtetues të Kosovës, lëvizjen e lirë, ruajtjen e rendit e qetësisë publike në gjithë vendin.

Kështu është deklaruar përmes një komunikate ku është shtuar se, njësitet policore të rendit publik dhe ato kufitare sipas detyrës zyrtare janë duke qarkulluar/lëvizur varësisht nga angazhimet dhe detyrat policore.

Në komunikatë shtohet edhe se, megjithatë nuk ka ndonjë përfshirje apo dërgim të njësive speciale në veri të Mitrovicës.

Komunikata e plotë:

Policia e Kosovës e angazhuar në ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike

Prishtinë, 5 nëntor 2022

Referuar situatës dhe zhvillimeve aktuale në vend, Policia e Kosovës si institucion i zbatimit të ligjit, bazuar në aktet ligjore dhe kushtetuese, ka planifikimet e saj operacionale për ruajtjen e rendit Kushtetues të Republikës së Kosovës, lëvizjen e lirë si dhe ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike në gjithë vendin.

Policia e Kosovës në vazhdimësi përcjellë zhvillimet në vend, përfshirë zhvillimet e fundit në veri të Mitrovicës dhe bënë vlerësime profesionale konform të cilave ndërmerr masa të nevojshme, të arsyeshme dhe të ligjshme për tu përballur me situatën e sigurisë dhe reagimin profesional në rast të cenimit të sigurisë qytetare apo rendit kushtetues.

Policia e Kosovës, sipas nevojës dhe vlerësimeve operacionale do të angazhojë personelin e saj, me qëllim të kryerjes së detyrave dhe autorizimeve ligjore, në funksion të garantimit të sigurisë së përgjithshme në vend si dhe ofrimin e sigurisë ndaj të gjithë qytetarëve pa dallime.

Njësitet policore të rendit publik dhe ato kufitare sipas detyrës zyrtare janë duke qarkulluar/lëvizur varësisht nga angazhimet dhe detyrat policore, mirëpo nuk ka ndonjë përfshirje apo dërgim të njësiteve speciale në veri të Mitrovicës, ashtu siç është publikuar në media.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika