LAJME

Jashari priti në takim komandantët nga Shqipëria e Kroacia, ushtrimet e përbashkëta temë diskutimi

Jashari priti në takim komandantët nga Shqipëria e Kroacia, ushtrimet e përbashkëta temë diskutimi
TV Prizreni
TV Prizreni
29 Shtator 2026, 16:28

Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, priti në takim Komandantin e Regjimentit të Operacioneve Speciale të Republikës së Shqipërisë dhe Komandantin e Komandës së Forcave të Operacioneve Speciale të Republikës së Kroacisë.

Gjatë takimit u diskutua për bashkëpunimin e ndërsjellë, koordinimin dhe shkëmbimin e përvojave profesionale ndërmjet Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe forcave partnere, me theks të veçantë në fushën e operacioneve speciale, trajnimeve dhe zhvillimit të kapaciteteve.

Në takim u diskutua gjithashtu për rëndësinë e ushtrimeve të përbashkëta si mundësi për rritjen e ndërveprueshmërisë, forcimin e koordinimit dhe avancimin e kapaciteteve operacionale.

“Në këtë kuadër, temë e diskutimit ishte edhe ushtrimi “Valor Shield 2026”, si një mundësi për bashkëpunim dhe shkëmbim të përvojave ndërmjet forcave pjesëmarrëse. Gjeneral Jashari vlerësoi bashkëpunimin e vazhdueshëm me forcat partnere të Shqipërisë dhe Kroacisë, duke theksuar rëndësinë e partneritetit dhe angazhimeve të përbashkëta në funksion të zhvillimit profesional dhe rritjes së kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës”, thuhet në komunikatën e FSK-së.

Kosova, Shqipëria dhe Kroacia në vitin 2025 kishin nënshkruar marrëveshje në fushën e mbrojtjes.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika