LAJME

Prizrenasi gjen kuletën me 1,410 euro dhe e dorëzon në polici

Prizrenasi gjen kuletën me 1,410 euro dhe e dorëzon në polici
TV Prizreni
TV Prizreni
29 Shtator 2026, 13:25

Një qytetar nga Prizreni ka gjetur një kuletë me 1,410 euro dhe dokumente personale, të cilën më pas e ka dorëzuar në polici.

Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, rasti ka ndodhur më 28 shtator, rreth orës 19:20, në Stacionin Policor të Trafikut në Prizren.

Kuleta ishte gjetur në një market nga qytetari Selami Grki, i cili, sipas policisë, e kishte dorëzuar menjëherë atë në stacion, së bashku me paratë dhe dokumentet që ndodheshin brenda.

Përmes dokumenteve identifikuese, policia ka arritur të kontaktojë pronarin e kuletës. Ai është paraqitur në stacionin policor, ku ka marrë kuletën dhe paratë e tij.

Pronari ka shprehur falënderim për aktin e ndershëm të qytetarit, si dhe për angazhimin e policisë në identifikimin dhe kontaktimin e tij.

Policia e Kosovës e ka cilësuar rastin si shembull të përgjegjësisë qytetare dhe bashkëpunimit ndërmjet qytetarëve dhe policisë, duke theksuar rëndësinë e ndershmërisë dhe solidaritetit në komunitet.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika