Partia Demokratike e Kosovës ka kërkuar nga Qeveria që sa më shpejt ta procedojë në Kuvend Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës.
Në një konferencë për media, kryetari i Grupit Parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri, tha se Qeveria nuk duhet ta zvarrisë këtë proces, ndërsa kërkoi mbështetje të plotë institucionale dhe financiare për ekipet mbrojtëse.
“Kuvendi i Republikës së Kosovës duhet të nisë pa vonesë procedurat për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara. Qeveria e Kosovës nuk duhet të guxojë ta zvarrisë këtë proces. Ndërsa institucionet e Republikës duhet të garantojnë mbështetje të plotë institucionale dhe financiare për ekipet mbrojtëse”, tha Tahiri.
Ai u bëri thirrje partive politike për, siç tha, maturi, përgjegjësi dhe kontribut konkret në këtë proces, duke theksuar se PDK-ja do të vazhdojë të angazhohet për ndryshimet ligjore.
“Ne, si përfaqësues të popullit, thjesht po e përcjellim kërkesën e qytetarëve. Ata burra që dhanë kontributin e tyre që ne të jetojmë të lirë, duhet të jenë sa më shpejt të lirë dhe të dëshmohet e vërteta për luftën tonë çlirimtare”, tha Tahiri.
Ndërsa deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, tha se sipas vlerësimit të kësaj partie, ndryshimet e propozuara nuk cenojnë detyrimet që Kosova ka marrë përmes amendamenteve kushtetuese dhe marrëveshjes së ratifikuar me Bashkimin Evropian.
Gruda argumentoi se, sipas tij, ndryshimet do të krijonin mundësi që procedurat gjyqësore të zhvilloheshin edhe në Kosovë, duke kundërshtuar atë që ai e cilësoi si ekzistencë të “dy sistemeve paralele juridike”.
Ai kërkoi nga Qeveria që projektligji të procedohet sa më shpejt në Kuvend, duke iu referuar edhe mundësisë së shpërndarjes së Kuvendit më 6 tetor.
“Kjo nuk është çështje e një partie politike. Ky nuk është ligj i PDK-së”, tha Gruda, duke shtuar se partia e tij është e hapur për propozime dhe opinione të tjera që mund të kontribuojnë në përmirësimin e projektligjit.
Nisma për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara ishte proceduar më herët për mendim në Qeveri. Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, kishte deklaruar se projektligji nuk mund të trajtohet në Kuvend pa përfunduar procedurat përkatëse në Qeveri, ndërsa ishte zotuar të kërkonte trajtimin e tij me urgjencë.