Pas disa rasteve të aksidenteve fatale javëve të fundit, Policia e Kosovës ka nisur fushatën sensibilizuese për kujdes në trafik. Së fundmi, ka nisur apelimi edhe përmes mesazheve telefonike.
“Apel nga Policia: Kujdes! Respekto rregullat në trafik! Shpëto jetë! Shpejtësia vret!” thuhet në apelin që Policia ka nisur t’ua dërgojë qytetarëve të enjten pasdite nëpërmjet SMS-ve.
Vetëm sivjet, nga janari deri në maj, në Kosovë kanë ndodhur 37 aksidente fatale. Nga to, 42 persona humbën jetën.
Vetëm të dielën e shkuar në Kosovë ndodhën dy aksidente fatale, në të cilat vdiqën pesë persona.
Në periudhën janar-maj janë shqiptuar 167.304 gjoba trafiku, ka njoftuar Policia, e cila tashmë ka nisur kontrollin e trafikut edhe nëpërmjet dronëve.