Evidentimi i rasteve të reja të infektimit me virusin COVID 19, ka qenë shqetësues për qytetarët dhe institucionet në përgjithësi dhe pas masave të reja të ndërmarra nga institucionet e vendit edhe Policia e Kosovës ka rritur kapacitetet në funksion të realizimit dhe implementim të këtyre masave në bashkërendim me autoritetet kompetente.
Me qëllim të respektimit të masave mbrojtëse, parandalimit të përhapjes së pandemisë duke vënë në pah interesin e shëndetit publik, Policia e Kosovës është duke realizuar detyra konkrete në gjithë territorin e Kosovës, duke aplikuar kontrolle të përbashkëta në trafik, në transportin e udhëtarëve, në qendra tregtare, lokale afariste etj., përfshirë edhe shqiptimin e gjobave ndaj atyre që nuk zbatojnë këto masa.
Kërkojmë nga të gjithë qytetarët, nga institucionet dhe bizneset që të respektojnë vendimet e fundit të marra nga qeveria e vendit, me qëllim që të ruajmë shëndetin publik si dhe pamundësohet përhapja e mëtejme e virusit.





