Një ekip i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), i cili po merr pjesë në operacionin “Interflex” në Mbretërinë e Bashkuar, u shfaq me flamurin e Kosovës krah për krah me ushtarët britanikë në Ditën e Pavarësisë së Kosovës.
Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Prishtinë ka ndarë fotografi nga ky moment historik, duke theksuar përfundimin e trajnimit fillestar të pjesëtarëve të FSK-së dhe gatishmërinë e tyre për të ndihmuar në përgatitjen e ushtarëve ukrainas.
“Ekipi i fundit i FSK-së në kuadër të INTERFLEX ka përfunduar trajnimin fillestar në Thetford, Mbretëria e Bashkuar. Ata tani janë të përgatitur për të ofruar trajnimin bazik të këmbësorisë për ushtarët ukrainas, duke i ndihmuar ata të rikthehen në Ukrainë dhe të mbështesin vendin e tyre gjatë konfliktit të vazhdueshëm,” shënohet në njoftimin e Ambasadës, e cila gjithashtu u drejtua urime për Ditën e Pavarësisë së Kosovës.