LAJME

Komisioni për Legjislacion miraton Projektligjin për Specialen

Komisioni për Legjislacion miraton Projektligjin për Specialen
TV Prizreni
TV Prizreni
5 Tetor 2026, 09:27

Komisioni për Legjislacion ka miratuar Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Projektligji është shqyrtuar dhe votuar të hënën, pak para nisjes së seancës plenare të Kuvendit të Kosovës. Ai është miratuar unanimisht nga anëtarët e Komisionit që kanë qenë të pranishëm në mbledhje.

Për Projektligjin kanë votuar nëntë deputetë, ndërsa nuk ka pasur asnjë votë kundër dhe asnjë abstenim.

Kryetari i Komisionit për Legjislacion, Vigan Qorolli, kishte deklaruar në fillim të mbledhjes se Lëvizja Vetëvendosje do ta mbështeste Projektligjin. Megjithatë, Qorolli kishte thënë se, sipas tij, këto ndryshime është dashur të bëheshin që në vjeshtën e vitit 2015.

Ndërkaq, deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, gjatë arsyetimit të kërkesës për ndryshimin e Ligjit ka thënë se qëllimi i Projektligjit është që Gjykatës Speciale t’i merret një pjesë e juridiksionit.

Pas miratimit në Komisionin për Legjislacion, Projektligji pritet të shqyrtohet dhe të votohet në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës.

 

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika