Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka bërë të ditur se ndodhet për një vizitë zyrtare në Japoni.
Sveçla në një postim në Facebook shkruan se me homologun Hisayuki Fujii kanë biseduar për mundësitë e zgjerimit dhe thellimit të mëtejmë të këtij bashkëpunimi, me theks të veçantë në sigurinë publike, shkëmbimin e të dhënave, emergjencat civile dhe sigurinë kibernetike.
Ai theksoi se Kosova dhe Japonia gëzojnë marrëdhënie miqësore dhe bashkëpunim të vazhdueshëm, veçanërisht në fushën e sigurisë dhe të menaxhimit të emergjencave civile.
“Me ministrin Fujii diskutuam për mundësitë e zgjerimit dhe thellimit të mëtejmë të këtij bashkëpunimi, me theks të veçantë në sigurinë publike, shkëmbimin e të dhënave, emergjencat civile dhe sigurinë kibernetike.” – ka njoftuar Sveçla.
Ministri thotë se i ka shprehur gjithashtu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Japonisë në zhvillimin dhe fuqizimin e kapaciteteve të institucioneve të Kosovës, si dhe për gatishmërinë për të avancuar bashkëpunimin në fusha me interes të përbashkët.
“Në këtë frymë të miqësisë dhe partneritetit, e ftova ministrin Fujii për një vizitë zyrtare në Republikën e Kosovës, me qëllim të njohjes nga afër me zhvillimet dhe progresin e arritur, si dhe identifikimit të mundësive të reja për bashkëpunim.” – shkruan tutje ministri.